Rishikimi i buxhetit: Ministritë e reja marrin fonde, buxheti i SPAK shkurtohet
Me rishikimin e buxhetit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka një buxhet prej 47 miliardë e 326 milionë lekë. Kjo ministri më parë përfshinte edhe kulturën, e cila tashmë është bashkuar me turizmin dhe sportin. Kjo ministri e cila mbulon 3 fusha do të ketë për këtë vit një buxhet prej 6 miliardë e 979 milionë lekë.
Ministria e Mjedisit, e cila deri në shtator ishte e bashkuar me turizmin, tani ka një buxhet të veçantë prej 2 miliardë e 966 milionë lekë. Ministria e Arsimit, tashmë e ndarë nga sporti, do të ketë një buxhet prej 61 miliardë lekë.
Ministritë e tjera që vijojnë me të njëjtën strukturë kanë pësuar ndryshime në buxhet:
- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga një buxhet fillestar prej 14 miliardë e 852 milionë lekë, me rishikimin e fundit shkon në 14 miliardë e 913 milionë lekë, me një rritje të lehtë për ujitjen.
- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga një buxhet fillestar prej 69.1 miliardë lekë, me këtë rishikim i rritet në 75.1 miliardë lekë. Një pjesë e këtij buxheti do të shkojë për rrugë, ndërsa 3 miliardë lekë për Albcontrol.
- Ministrisë së Shëndetësisë i është ulur lehtë buxheti nga 80 miliardë e 525 milionë lekë, duke e çuar atë në 80 miliardë e 288 milionë lekë.
- Janë shkurtuar fondet edhe për Ministrinë e Mbrojtjes, nga 52.6 miliardë lekë në 48.7 miliardë lekë.
- Ministria e Jashtme ka një reduktim buxheti prej afro 100 milionë lekë.
- Ndërsa Ministria e Drejtësisë dhe ajo për Punët e Brendshme janë me një rritje të lehtë të shpenzimeve të planifikuara.
Buxheti i rishikuar i institucioneve të drejtësisë
- Buxheti i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) është ulur me 466 milionë lekë. Nga 2 miliardë e 349 milionë lekë të parashikuara në fillim, buxheti i SPAK arrin në 1 miliardë e 883 milionë lekë me rishikimin e fundit.
- Janë shkurtuar fondet edhe për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), nga pak më shumë se 6 miliardë lekë në vetëm 5.6 miliardë lekë.
- Edhe për Prokurorinë e Përgjithshme fondet janë ulur nga 3.2 miliardë në 3.1 miliardë lekë.
- Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) fondet rriten nga 187 milionë lekë në 211 milionë lekë.
- Gjykata Kushtetuese mbetet në të njëjtën vlerë prej 262 milionë lekë.
Fonde shtesë për KQZ, RTSH dhe SHISH
- Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) merr shtim buxheti me këtë akt normativ. Nga 2.7 miliardë lekë që ishte, arrin në 3.1 miliardë lekë, me fokus në investime në softuer.
- Gjithashtu, rritet me 21 milionë lekë buxheti i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), nga 870 milionë lekë që ishte, arrin në 891 milionë lekë me këtë akt normativ.
- Fonde shtesë merr edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 532 milionë lekë që ishte buxheti fillestar, arrin në 544 milionë lekë me aktin e fundit normativ.
