Klajdi Thaçi dhe Enxhi Nasufi prezantojnë bashkëpunimin letrar: “E fshehta e syve të tu”
“E fshehta e syve të tu” është titulli i romanit të publikuar së fundmi në bashkautorësi nga shkrimtari Klajdi Thaçi dhe artistja Enxhi Nasufi. Rrëfimi, i bazuar në një histori personale të moderatores dhe këngëtares së njohur, u promovua mbrëmjen e kësaj të enjteje mes miqsh, dashamirësish, por edhe figurash të njohura të skenës kulturore.
Gjatë promovimit të librit, autori Klajdi Thaçi u shpreh se bashkëpunimi erdhi në momentin e duhur dhe rrodhi natyrshëm, duke qenë se të dy ndajnë të njëjtën qasje në mendime. Kjo i dha atij lirinë të përfshijë botën e tij të brendshme dhe elemente personale në histori, duke ruajtur dhe ndërthurur njëkohësisht këndvështrime të ndryshme si dy autorë të veçantë.
“Ne jemi dy autorë dhe secili mund të ketë dhe të sjellë këndvështrimin e tij mbi historinë. Për mua, ky roman qëndron mbi tre shtylla: besimi, mirënjohja dhe dashuria. Besimi se gjithçka që ndodh në jetë është për të na përgatitur për atë që do të vijë më vonë. Sa më i madh të jetë misioni i dikujt në jetë, aq më të mëdha do të jenë edhe sfidat, por gjithmonë duhet patur besim. Mirënjohja, jo vetëm ndaj të tjerëve kur bëjnë diçka për ne, por sidomos kur ne kemi mundësi të japim një kontribut për dikë tjetër. Talenti, vullneti, forca, gjithçka kemi nuk duhet marrë si të mirëqena. Çdo gjë që na jepet edhe mund të na merret. Dashuria, e cila mbi të gjitha ka forcë të ndërtojë. Por edhe kur shkatërron, sërish ndërton. Si në këtë rast, kur një histori dashurie bëhet shkak për të sjellë një krijim artistik”, shprehet Thaçi.
Nga ana tjetër, autorja e re Enxhi Nasufi tregon se historia është autobiografike dhe e lidhur me përvojën e saj më të fortë të dashurisë, të cilën e përshkruan si një ndjenjë pa të mesme, pa “doreza”, që ka fuqinë të transformojë, por edhe të përballë me anët më të errëta të vetes. Nasufi thotë se shkrimi ka qenë për të një proces çlirimi dhe qartësimi emocional, ku përjetimet personale janë transformuar në art.
“Mua më pëlqen shumë një thënie që i përshkruan artistët si njerëz që udhëtojnë/përshkojnë shumë jetë, kohë e dimensione për t’u rikthyer dhe për të transformuar gjithçka që kanë përjetuar: dhimbjet më të forta, plagët më të mëdha. Nëpërmjet artit ata e shndërrojnë çdo gjë në diçka më të bukur, më të prekshme dhe të gjithë ndihen të përfshirë dhe të kuptuar. Elora u dashurua, siç u dashurova unë, me Elionin. Ishte dashuria më e madhe që kam përjetuar ndonjëherë. Erdhi si një vërshim emocionesh që të bën të eksplorosh qoshet më të errëta, të zhvesh, të zbulon gjëra që nuk dije që i ke, futet në pjesë të thella të tuat, ku drita ende nuk ka depërtuar. Unë them shpesh që dashuria është një nga ndjenjat më të bukura. Dashuria mund të të ndjekë, ka forcën të të ngrejë dhe të transformojë, por edhe të errësojë nëse mbetesh peng i saj. Dashuria nuk ka të mesme”, shprehet Nasufi.
Biseda mes dy autorëve u moderua nga botuesja Arlinda Dudaj, nën siglën e shtëpisë botuese të së cilës është publikuar edhe libri “E fshehta e syve të tu”. Dudaj shtoi se përveç faktit që çmon që ky është libër i shkruar mirë dhe plot ndjenjë, ajo beson se romani ka një qëllim më të thellë ndihmues dhe reflektues.
“Çdo lexues mund të gjejë në këtë libër një pjesë të vetes, të përjetimeve të veta apo të dikujt tjetër, duke ofruar një mundësi për vetëkuptim dhe për të kuptuar të tjerët,” tha Dudaj.
“Veç elemente të një historie dashurie, ne donim të sillnim një histori që i përfshinte të gjithë, që përfaqësonte pak nga realiteti shqiptar, por edhe nga ai botëror. Që trajtonte tema me kuptim të së përditshmes, por që ndonjëherë kemi nevojë t’i lexojmë për t’u ndjerë të kuptuar dhe të parë. Pikërisht për këtë arsye paralelisht me historinë e Elorës dhe Elionit, zhvillohet edhe rrëfimi i Marie Vorpsit, një gruaje të lënduar nga një martesë e dhunshme dhe nga një realitet patriarkal që e ka shtypur për vite me radhë. Elora, me profesion avokate, merr përsipër çështjen e divorcit të saj dhe e shndërron atë në një sfidë personale, duke u përballur jo vetëm me ligjin, por edhe me padrejtësitë që fshihen pas tij”, shtojnë autorët.
Ky libër është një nga bashkëautorësitë e para të zhanrit fiction në Shqipëri që ndërthur marrëdhëniet njerëzore, drejtësinë dhe kërkimin e së vërtetës, duke krijuar një tension emocional që e ndjek lexuesin deri në faqen e fundit.
Për moderatoren e njohur, Enxhi Nasufi, ky ishte projekti i saj i parë në fushën e letërsisë pas angazhimit të saj afatgjatë në televizion, ku e kemi parë në rolin e moderatores, këngëtares, por edhe si kërcimtare, ku vlen të përmendim që ka fituar në spektaklin e kërcimit “Dancing With the Stars”.
Për Klajdi Thaçin ky është romani i katërt. Shkrimet e tij, të vendosura shpesh në zhanrin distopik, janë njëkohësisht të gjalla dhe të vërteta, duke hapur dritare për reflektime mbi jetën dhe marrëdhëniet njerëzore. Thaçi është pjesë e brezit të ri të autorëve shqiptarë që eksplorojnë tema shoqërore dhe filozofike përmes prozës. Romanet e tij, duke përfshirë edhe titullin e fundit, spikatin për origjinalitet dhe guxim në të shkruar, duke e pozicionuar Thaçin si një nga zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
