Rrëshqitje masive dherash në Librazhd, dhjetëra banesa të dëmtuara
Rrëshqitje masive tokësore janë regjistruar këtë të shtunë në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër të bashkisë së Librazhdit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonë.
Sipas të dhënave paraprake nga terreni, rrëshqitjet e para janë vënë re rreth orës 14:30. Rreth një orë më pas, fenomeni është riaktivizuar, duke zhvendosur sipërfaqe të mëdha dheu.
Në orët e vona të pasdites, rrëshqitja është përshkallëzuar edhe më tej, duke përfshirë një bllok banimi. Si pasojë, dhjetëra shtëpi janë dëmtuar lehtë dhe shtatë të tjera rëndë.
Mësohet se rrëshqitjet kanë prekur më së shumti Lagjen Hoxha, si dhe të gjithë zonën ku dikur ndodhej depo e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit. Kjo situatë rrit rrezikun për banorët dhe infrastrukturën përreth.
Ky nuk është rasti i parë që fshati Spathar i Librazhdit përballet me fenomene të tilla. Edhe vite më parë janë regjistruar rrëshqitje masive, çka e bën zonën të njohur për problematikat gjeologjike.
