E diela rikthen reshjet në Shkodër, jepet njoftim për rrezik përmbytjeje
Instituti i Gjeoshkencave, Hidrometeorologjisë dhe Mjedisit (IGJEUM) ka njoftuar se disa qarqe të vendit do të jenë nën ndikimin e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundjavës.
Qarku i Shkodrës pritet të përjetojë një intensitet më të lartë të reshjeve, ndërsa në Kukës dhe Vlorë ato do të jenë të dobëta deri mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Sipas IGJEUM, reshjet e pritura mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe përmbytje në disa zona urbane të Shkodrës.
Njoftimi detajon:
- Sot pasdite (e shtunë, dt. 24): Priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun Shkodër, ndërsa në qarqet e tjera do të jenë të dobëta.
- Nesër (e diel, dt. 25): Priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarkun Shkodër. Në qarqet Kukës dhe Vlorë, reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata. Në të gjitha qarqet e tjera, reshjet do të jenë të dobëta.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime uji në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarkun Shkodër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
- Në bregdet: 11 / 19 °C
- Në vendet e ulëta: 9 / 19 °C
- Në vendet malore: 2 / 12 °C
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet dhe në vendet malore gjatë ditës së sotme pasdite dhe nesër.
