Rreziku bankar: Bankat Shqiptare ekspozohën më shumë ndaj borxhit

Sektori bankar e rriti më tej huadhënien për qeverinë shqiptare në vitin 2025

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj borxhit të qeverisë shqiptare u rrit më tej gjatë vitit 2025. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar, bankat zotëronin instrumente borxhi të qeverisë shqiptare në vlerën e 625 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 8.4% krahasuar me një vit më parë.

Pjesën kryesore të këtyre investimeve vazhdojnë të përbëjnë bonot dhe obligacionet në monedhë vendase, të cilat zënë mbi 83% të vlerës totale të ekspozimit ndaj qeverisë qendrore. Në fund të vitit 2025, vlera e portofolit të bonove dhe obligacioneve në lekë arriti në rreth 522 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.8%.

Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë, duke kontribuar me rreth 65% të stokut total të tij. Megjithatë, vitet e fundit po vihet re një rritje e shpejtë edhe e investimeve të sektorit bankar në titujt e emetuar nga qeveria shqiptare në valutë të huaj.

Në fund të vitit 2025, stoku i Eurobondeve në bilancet e sektorit bankar arriti vlerën e mbi 103 miliardë lekëve, një rritje prej 11.5% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht rritjes absolute të ekspozimit të sektorit bankar ndaj borxhit qeveritar, pesha e këtyre aseteve në strukturën e bilancit të sektorit ka pësuar një rënie të lehtë, duke zbritur në 26.9% nga 27.1% që ishte në fund të vitit 2024.

Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë grupin e dytë më të madh të aktiveve të sektorit bankar, pas kredisë për sektorin privat të ekonomisë. Ky portofol ofron përfitime të kënaqshme për sektorin bankar, kundrejt një rreziku teknik të ulët. Investimi në bono dhe obligacione ka kërkesa më të ulëta për mbulimin me kapital, duke peshuar më pak mbi mjaftueshmërinë e kapitalit të bankave.

Megjithatë, institucionet e specializuara e vlerësojnë ekspozimin shumë të lartë ndaj borxhit të qeverisë shqiptare si një nga rreziqet potenciale sistemike për sektorin bankar në vend. Edhe pse rreziku i kredisë aktualisht vlerësohet si relativisht i ulët dhe Shqipëria ka bërë përmirësime në notën e vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara, ekspozimi i lartë ndaj borxhit të qeverisë shqiptare nuk është pa rreziqe, veçanërisht në drejtim të likuiditetit, i cili lidhet gjithashtu me zhvillimin e dobët të tregut dytësor të titujve qeveritarë në vend.

Programi i fundit i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në vitin 2013, adresonte si një nga rekomandimet kryesore zvogëlimin e rreziqeve sistemike që rrjedhin nga zotërimet e mëdha të letrave me vlerë qeveritare nga bankat dhe fondet e investimeve, si dhe zhvillimin e tregut dytësor të titujve me qëllim uljen e rreziqeve të lidhura me likuiditetin. Ky rekomandim është theksuar në mënyrë të përsëritur edhe në deklaratat e viteve të fundit të FMN-së për Shqipërinë. Megjithatë, deri më sot, ndryshimet në këtë drejtim nuk kanë qenë shumë të rëndësishme. Letrat me vlerë të qeverisë vazhdojnë të përbëjnë më shumë se një të katërtën e aseteve të sektorit bankar, ndërsa tregu dytësor ngelet i pazhvilluar.

Scroll to Top