Rriten çmimet e referencës së ndërtesave, taksat në rritje

Hartat/ Çmimet e reja të referencës do të zbatohen edhe në fshatra, duke u barazuar me ato të qarqeve.

Qeveria po shqyrton sërish projektvendimin për çmimet e referencës së ndërtesave për banim në qarqe. Për herë të parë, në hartën e çmimeve të referencës do të përfshihen të gjitha zonat rurale të Shqipërisë, sipas ndarjes administrative vendore qytet/fshat. Projektvendimi propozon që çmimet e referencës për zonat rurale të jenë të njëjta me çmimet aktuale të referencës që aplikohen për qytetet.

Revista “Monitor” ka zbardhur hartat dhe tabelat me propozimet e qeverisë për çmimet e referencës së ndërtesave të banimit, sipas ndarjes territoriale në Republikën e Shqipërisë (qytete/fshatra).

Aktualisht, VKM nr. 132, miratuar në vitin 2018, ndan rrethet në 67 zona me çmime reference. Në ndryshimet e propozuara në korrik 2025, parashikohej shtimi i 59 zonave të reja, duke e çuar numrin total të zonave në 116. Ky propozim përfshinte vetëm zonat urbane dhe ende nuk ishte miratuar. Me rishikimin e fundit, grupi i punës propozon ndarjen e çmimeve të referencës në 176 zona. Zonat e reja që shtohen janë zonat rurale, ku qeveria propozon të ketë çmime fiskale të barabarta me çmimet aktuale të qarqeve.

Aktualisht, për zonat rurale, bashkitë përdorin një çmim të reduktuar deri në 35% të zonave urbane. Konkretisht, VKM nr. 132 datë 7.3.2018 (e ndryshuar në korrik 2023 vetëm për çmimet e Tiranës) përcakton se çmimi për metër katror të sipërfaqes ndërtimore për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës reduktohet deri në 35% krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në Tiranë, për zonat rurale, çmimi i referencës reduktohet me 30%.

Me ndryshimet e reja, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e propozuara nga qeveria. Projektvendimi i ndryshuar pritet të miratohet së shpejti.

Çfarë çmimesh propozohen për zonat rurale?

Grupi i punës ka propozuar që harta e çmimeve të referencës të ndahet sipas vlerave për zona urbane dhe rurale. Megjithatë, duke u bazuar te vlerës së shitjes së pronave në terren, disa zona bregdetare të zhvilluara për ndërtime rezidenciale janë ndarë në zona kadastrale me çmime reference të ndryshme, duke përfshirë edhe zonat rurale.

Shembull: Durrësi

  • Aktualisht, çmimi i referencës për qytetin e Durrësit është 67,500 lekë/m².
  • Në projektvendimin e ri, Durrësi do të ndahet në 13 zona kadastrale, me vlera që variojnë nga 45,000 lekë deri në 200,000 lekë/m² (vlera më e lartë është për zonën e Portit, ku po ndërtohet projekti “Durrës Yahts Marina”).
  • Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj do të përfshihen brenda bashkisë Durrës dhe do të ndahen në 4 zona kadastrale. Zona 6 (vija e parë e bregdetit) ka çmimin më të lartë, 190,000 lekë/m². Zona 7 ka 90,000 lekë/m², ndërsa zonat 8 dhe 9 do të kenë çmime prej 45,000 lekë dhe 50,000 lekë/m².
  • Për të gjitha zonat rurale të Durrësit (fshatrat), propozohet një çmim reference prej 67,500 lekë/m², i njëjtë me çmimin aktual të qytetit. Ky çmim përfshin edhe zonat pas vijës bregdetare, si Lalzi apo Hamallaj.

Shembull: Vlora

  • Çmimi i referencës për vijën bregdetare të Radhimës propozohet të jetë 90,000 lekë/m², duke u përfshirë në çmimet e referencës së zonës urbane Radhimë dhe Orikum.
  • Zona rurale e Vlorës, duke përfshirë edhe Radhimën (pa vijën e parë bregdetare), do të ketë çmim reference 61,800 lekë/m², i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Vlorës.

Shembull: Saranda

  • Vija bregdetare e Ksamilit do të përfshihet në hartën e çmimeve urbane të referencës për Sarandën, me çmime që do të variojnë nga 60,000 lekë deri në 100,000 lekë/m².
  • Fshatrat e Sarandës do të kenë një zonë të re me çmim reference 56,000 lekë/m², i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Sarandës.

Do të rriten detyrimet e taksës së ndërtesës edhe për zonat rurale.

Mbi çmimet e reja të referencës do të llogariten detyrimet për taksën e ndërtesës, taksën e ndikimit në infrastrukturë, si dhe do të kryhet procesi i rivlerësimit të pasurive.

Ashtu siç ndodhi në Tiranë me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës, ndryshimet sollën rritje të detyrimit për taksën e ndërtesës dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Me hyrjen në fuqi të çmimeve të referencës, detyrimi për këto taksa do të rritet jo vetëm në qarqe, por edhe për zonat rurale.

Ministria e Financave parashikon të arkëtojë 2.6 miliardë lekë (rreth 27 milionë euro) të ardhura shtesë nga këto taksa. Taksa e ndikimit në infrastrukturë pritet të gjenerojë rreth 1.8 miliardë lekë, ndërsa taksa mbi ndërtesën rreth 868 milionë lekë.

Sa do të rritet detyrimi për taksën e ndërtesës dhe infrastrukturës?

Detyrimi për taksën e ndërtesës do të rritet automatikisht në masën e rritjes së çmimeve të referencës.

Shembull konkret në Durrës:

  • Një qytetar me një shtëpi banimi 60 m² aktualisht paguan 2,025 lekë/vit (168 lekë/muaj) për taksën e ndërtesës.
  • Pas hyrjes në fuqi të çmimeve të reja, detyrimi do të arrijë në 6,000 lekë/vit (500 lekë/muaj), duke u rritur me 196% për këtë zonë.
  • Detyrimi për bizneset do të ndryshojë në nivele të ngjashme. Një dyqan 90 m² që aktualisht paguan 12,150 lekë/vit, do të paguajë 36,000 lekë/vit.

Për llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, baza është vlera për metër katror e çmimit të shitjes. Në Durrës, norma e kësaj takse për ndërtime banimi është 8%. Për një objekt rezidencial 100,000 m² pranë portit, detyrimi aktual është rreth 540 milionë lekë. Me çmimin e ri të referencës nga 1 janari 2026, detyrimi do të arrijë rreth 1 miliardë lekë.

Rritje të ndjeshme pritet edhe në Himarë, Sarandë dhe Vlorë. Himara do të ndahet në 5 zona kadastrale, me rritjen më të lartë (141%) në zonën nr. 1, ku çmimi do të shkojë nga 58,000 në 140,000 lekë/m². Saranda do të ndahet në 5 zona, me çmimin referencë 100,000 lekë/m² në zonat nr. 1 dhe nr. 3 (rritje 78.6%). Vlora do të ndahet në 7 zona, duke përfshirë Radhimën, Orikumin dhe ishullin e Sazanit. Rritja më e lartë pritet për ishullin e Sazanit.

Sazani, zonë reference për herë të parë.

Ishulli i Sazanit, deri më tani i pabanuar, përfshihet për herë të parë si zonë kadastrale. Kjo vjen pas prezantimit të projektit rezidencial nga kompania “Affinity Partners”. Për ishullin e Sazanit, çmimi i referencës përcaktohet në 200,000 lekë/m², rreth 233% më i lartë se çmimi referues i mëparshëm për qytetin e Vlorës.

Rivlerësimi i pasurive në qarqe do të bëhet sipas çmimeve të reja të referencës.

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, si për individët ashtu edhe për bizneset, do të realizohet duke përdorur çmimet e reja të referencës. Kjo vlen si për vlerësimin me çmim tregu (kryer nga ekspertë të licencuar, ku çmimet nuk mund të jenë më të ulëta se çmimet e referencës), ashtu edhe për vlerësimin me çmim reference (aplikim në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës).

Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është botuar, por për zbatimin e tij pritet miratimi i akteve nënligjore.

Scroll to Top