Turistët shtojnë konsumin e pijeve alkoolike, rritet prodhimi dhe importet
Gjatë periudhës janar–nëntor 2025, është regjistruar një rritje si e prodhimit ashtu edhe e importit të pijeve alkoolike. Sipas prodhuesve vendas dhe drejtuesve të bareve në Tiranë, konsumi kryesor mbulohet nga sektori i turizmit.
Të dhënat zyrtare nga Doganat tregojnë se për muajt janar–nëntor 2025, kompanitë vendase kanë prodhuar 315.8 mijë litra pije alkoolike. Ky prodhim shënon një rritje prej 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, në krahasim me periudhën para pandemisë së COVID-19, prodhimi është ende 48.4% më i ulët.
Drejtuesit e bareve në Tiranë theksojnë se pas pandemisë, mënyra e argëtimit dhe zakonet e konsumit të pijeve alkoolike në jetën e natës kanë pësuar ndryshime të dukshme. Redi, themelues dhe banakier i “Radio Bar Tirana”, vë në dukje se kërkesa për pije alkoolike, si nga grupmosha 20–30 vjeç ashtu edhe nga ajo mbi 40 vjeç, ka rënë me 30–40% krahasuar me periudhën para pandemisë.
“Industria jonë do të falimentonte pa turizmin,” shprehet ai. “Me të rinj që nuk konsumojnë alkool si brezat e mëparshëm, me rënien e fuqisë blerëse për shkak të vështirësive ekonomike dhe emigrimin e të rinjve, kërkesa e vendasve nuk do të ishte e mjaftueshme për të mbajtur baret dhe klubet në Tiranë.” Ai shton se kjo vihet re edhe në ndryshimin e frekuentimit: periudha tetor–mars, që më parë ishte periudha e “boom”-it për klubet e natës, tani mbahet kryesisht nga turistët.
Prodhuesit vendas pohojnë gjithashtu se turistët përbëjnë peshën kryesore të konsumit të pijeve alkoolike. Denis Zhilla, drejtor i përgjithshëm i kantinës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, sqaron se rreth 50% e konsumit total mbështetet nga turistët. Sipas tij, pijet më të preferuara janë konjaku dhe rakia tradicionale shqiptare, ndërsa vera, veçanërisht e bardha, preferohet më shumë nga të rinjtë.
Rritja e akcizës për pijet alkoolike nga 1 janari 2023 vijon të ketë efekte negative te prodhimi vendas. Prodhuesit shqetësohen pasi detyrimi i akcizës arrin rreth 40% të vlerës për një shishe alkool 700 ml. Me ndryshimet në ligjin “Për akcizat” nga 1 janari 2023, akciza për pijet e forta alkoolike u unifikua në 84,500 lekë për HL alkool. Para këtyre ndryshimeve, akciza për prodhuesit vendas dhe të huaj ishte 65,000 lekë për Hl deri në 20,000 hl/vit, dhe 84,500 lekë për Hl për prodhim mbi 20,000 hl/vit.
Si pasojë e ndryshimit të akcizës, në janar 2023, prodhuesit vendas shtrenjtuan çmimet e pijeve alkoolike deri në 20%. Ky shtrenjtim solli një ulje të konsumit, duke detyruar prodhuesit të pakësojnë prodhimin.
Ndryshe nga prodhimi vendas, importi i pijeve alkoolike si Uiski, Xhin, Vodka, Uzo, Tekila dhe Konjak, për periudhën janar-nëntor 2025, sipas të dhënave të Doganave, është rritur me 5% krahasuar me vitin paraprak. Në raport me periudhën para pandemisë së COVID-19, importet e pijeve alkoolike janë rritur rreth 87%. Përfaqësuesit e kompanive importuese konfirmojnë se zgjerimi i kërkesës lidhet me turizmin, pasi këto pije konsumohen më gjerësisht në bare dhe restorante.
