Qeveria miratoi rritjen e pagës minimale mujore, duke e çuar atë nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë. Ky vendim vjen si pjesë e angazhimeve të marra ndaj qytetarëve dhe punëmarrësve.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se masa prek rreth 307,850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat. Synimi kryesor është mbrojtja e nivelit të jetesës, fuqizimi i kapitalit njerëzor dhe përmirësimi i standardit jetësor për mijëra familje shqiptare.
“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale kontribuon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, theksoi Ibrahimaj.
