Rritja e Pensioneve: A Mjafton Për Jetën?

Sa do të rriten pensionet?

Pensionistët në qytet do të marrin mesatarisht 543 lekë më tepër këtë muaj, ndërsa ata në fshat vetëm 320 lekë më shumë.

Pagesa mujore për një pensionist që jeton në qytet, aktualisht 20 mijë e 123 lekë, do të bëhet 20 mijë e 666 lekë.

Qeveria ”Rama 4” ka vënë në dispozicion një fond shtesë prej 872 milionë lekësh. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 777 mijë pensionistë.

Pagesa mujore mesatare për një pensionist në fshat, pas indeksimit me 2.7%, do të jetë 12 mijë e 198 lekë, nga 11 mijë e 878 lekë që është aktualisht.

Përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane do të marrin 300 lekë më tepër, ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 450 lekë më tepër.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët, nga tetori i vitit të kaluar deri më tani, ka qenë rreth 2.7%. Për pasojë, indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.

Megjithatë, ajo që marrin pensionistët në vend nuk mjafton për të përballuar jetesën. Nisur nga një përllogaritje, një çift pensionistësh i duhen së paku 50 mijë e 400 lekë për të përballuar nevojat e një muaji. Nga ana tjetër, po ky çift merr mesatarisht 40 mijë lekë nëse jeton në qytet.

Scroll to Top