Rritja e Qirave: Shkaqet dhe Ndikimi i Turizmit

Agjentët imobiliarë: Rritja e qirave nga kërkesa e lartë, oferta e kufizuar dhe ndikimi i turizmit

Agjentët imobiliarë theksojnë se faktori kryesor që po ndikon në rritjen e çmimeve të qirave është kërkesa e turistëve të huaj për apartamente apo vila me qira ditore, të cilat jepen nëpërmjet platformave ndërkombëtare. Kjo rritje e kërkesës nga turistët, sipas tyre, vazhdon të ndikojë në rënien e ofertës për strehim afatgjatë dhe në rritjen e çmimeve të qirave.

Zhvillimi i turizmit dhe përdorimi i platformave si Airbnb kanë bërë që shumë pronarë të zgjedhin këtë model, për shkak të fitimeve më të larta krahasuar me qiratë afatgjata. Si pasojë, numri i banesave të disponueshme për qiramarrësit rezidentë është reduktuar, veçanërisht në zonat më të kërkuara të kryeqytetit.

Sipas të dhënave nga AirDNA, një njësi analize që monitoron net-qëndrimet në platformat online të akomodimit (si Airbnb, Booking dhe Expedia), numri i njësive të listuara për qira ditore arriti në 27 mijë deri në fund të marsit 2026, duke u rritur ndjeshëm nga vetëm 3 mijë pak vite më parë. Nga këto, 10.3 mijë njësi (38% e totalit) janë në Vlorë dhe Sarandë, 5.3 mijë në Tiranë, 4 mijë në Durrës dhe 1.4 mijë në Golem.

Edhe për CEO-n e agjencisë imobiliare “CPM”, Dritan Leka, faktori kryesor që ndikon në rritjen e çmimit të qirave është reduktimi i ofertës për strehim afatgjatë si pasojë e përdorimit të pronave për Airbnb. Megjithatë, sipas tij, shtrenjtimi mesatar i qirave po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, përfshirë luhatjet e kursit të Euros dhe rritjen e kërkesës për strehim nga vendasit dhe të huajt.

“Mendoj se ka qenë një nga faktorët më të rëndësishëm që ka ndryshuar tregun në vitet e fundit. Shumë pronarë kanë kuptuar se përmes Airbnb ose platformave të ngjashme mund të gjenerojnë të ardhura më të larta, sesa nga një kontratë afatgjatë dhe kanë vendosur të ndryshojnë modelin e përdorimit të pronës. Si pasojë, numri i apartamenteve të disponueshme për qira afatgjatë është reduktuar, veçanërisht në zonat më të kërkuara të Tiranës dhe në qytetet turistike. Kjo ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet,” pohon Leka.

Nga përvoja e agjencisë imobiliare “Century 21”, rritja e çmimeve të qirave nuk është pasojë e një faktori të vetëm, por e kombinimit të disa zhvillimeve që kanë ndodhur njëkohësisht në treg:

  • Së pari, kërkesa për apartamente me qira, veçanërisht në Tiranë, është rritur ndjeshëm, ndërkohë që oferta nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm (apartamente të gatshme për përdorim).
  • Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve që më parë jepeshin me qira afatgjatë janë orientuar drejt platformave si Airbnb, për shkak të rritjes së turizmit dhe fitimeve më të larta që mund të sigurojnë pronarët.
  • Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është edhe kursi i këmbimit të Euros. Forcimi i Lekut ka bërë që shumë pronarë të rrisin vlerën e qirasë në Euro ose të kërkojnë pagesa në Lek të indeksuara me një nivel më të lartë, për të ruajtur të njëjtin nivel të ardhurash që kanë pasur më parë.

Po ashtu, drejtuesi i “CPM”, Dritan Leka, thekson se ritmet e rritjes së qirave janë përshpejtuar gjatë dy-tre viteve të fundit. “Krahas turizmit, në këtë tendencë kanë ndikuar edhe shtimi i të huajve që zgjedhin të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, rritja e kostove të ndërtimit, shtrenjtimi i pronave dhe luhatjet e kursit të këmbimit të Euros. Forcimi i Lekut ka shtyrë shumë pronarë të rrisin çmimet e qirave për të ruajtur nivelin e të ardhurave”.

Scroll to Top