Rritje 15% e sigurimit të makinave: Sistemi Bonus-Malus fajtor

Çmimi i sigurimit të makinave rritet mesatarisht me 15% për shkak të sistemit bonus-malus

Që nga fillimi i këtij viti, ka hyrë në fuqi zbatimi i sistemit bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë motorike ndaj palëve të treta (TPL). Ky sistem synon të ndikojë në tarifat e sigurimit bazuar në historikun e dëmeve të shkaktuara nga drejtuesit e mjeteve.

Sipas këtij sistemi:

  • Drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme gjatë vitit paraardhës do të përballen me prime sigurimi më të larta (malus).
  • Drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme do të përfitojnë prime sigurimi më të ulëta (bonus).

Analizat e kryera duke përdorur aplikacionet automatike të kompanive të sigurimit tregojnë se penalizimi (malusi) për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme do të jetë ndjeshëm më i lartë se përfitimi (bonusi) për ata që nuk kanë pasur incidente.

Shembuj të ndryshimeve të çmimeve:

Vitin e kaluar, çmimi minimal i sigurimit TPL për parametra me rrezik të ulët (makina me motor deri 1300 cm3, vjetërsi deri 5 vjet, drejtues me përvojë mbi 2 vite, individë dhe të regjistruar në qarqe me shpeshtësi të ulët dëmesh) ishte rreth 15,500 lekë. Për këtë vit, një drejtues me parametra të ngjashëm dhe pa dëme të shkaktuara gjatë vitit 2024, do të paguajë rreth 15,000 lekë.

Për zonat me risk më të lartë, përfshirë Tiranën, çmimi minimal TPL vitin e kaluar ishte rreth 16,000 lekë, ndërsa këtë vit, për drejtuesit pa dëme, pritet të jetë rreth 15,400 lekë.

Diferencat e primeve sipas historikut të dëmeve:

  • Bonus (pa dëme): Përfitimi për drejtuesit pa histori dëmesh është rreth 3-4%, me variacione të vogla mes kompanive.
  • Malus (një dëm): Shtrenjtimi për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2024, do të jetë në intervalin 15%-20%, në varësi të kompanisë.
  • Malus (dy ose më shumë dëme): Për drejtuesit që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme, shtrenjtimi, sipas kompanisë, do të jetë nga 33% në 38% krahasuar me vitin e kaluar.

Nëse krahasojmë drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme me ata që kanë shkaktuar një dëm këtë vit, diferenca në primet e sigurimit arrin nga 19% deri në 27%. Ndërsa, drejtuesit me dy ose më shumë dëme do të paguajnë një prim të konsiderueshëm më të lartë, në intervalin 37%-42%, krahasuar me drejtuesit pa dëme.

Zbatimi i sistemit bonus-malus parashikohet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” të vitit 2021. Megjithatë, ai u bë i zbatueshëm vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, e cila hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, duke mundësuar aplikimin e bonus-malus nga 1 janari i këtij viti.

Scroll to Top