Rritje çmimesh transport urban Kamëz-Tiranë

Çmimi i naftës bie, urbanët e Kamzës shtrenjtojnë biletat

Duke filluar nga data 1 nëntor, qytetarët që përdorin linjën e transportit urban Kamëz–Tiranë do të përballen me një rritje të çmimit të biletës dhe të abonimit mujor.

Bileta e transportit publik do të kushtojë 50 lekë, nga 40 lekë që ka kushtuar deri më sot. Ndërkohë, abonimi mujor është rritur në 14,000 lekë nga 12,000 lekë që ka qenë.

Operatori i linjës ka dorëzuar pranë Drejtorisë së Transportit të Bashkisë Kamëz një kërkesë për rritjen e tarifës, e cila është mbështetur me një analizë të detajuar të kostove dhe argumente ekonomike.

Në dokument thuhet se rritja e çmimeve të karburanteve dhe e shpenzimeve operative e bën të nevojshme përshtatjen e tarifës aktuale.

Më pas, Bashkia Kamëz, e drejtuar nga kryebashkiaku Rakip Suli, ka hartuar një relacion teknik dhe financiar për të arsyetuar ndryshimin e çmimit.

Ky propozim është shqyrtuar nga komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak, të cilat mbulojnë fushat e ekonomisë, financave dhe transportit. Në fund, ai është miratuar me votim nga Këshilli Bashkiak.

Vendimi për rritjen e çmimit të biletës dhe abonimit mujor ka sjellë revoltë te qytetarët. Ata janë shprehur të pakënaqur për mediat, duke theksuar se rritja e çmimeve po ndjehet kudo.

Scroll to Top