Enj. Nën 22nd, 2018

Rritje e potencialeve turistike në jug të vendit

TIRANË, 8 nëntor. Rritja e fluksit turistik në Shqipëri nxjerr përballë qeverisë shqiptare sfida reale për të përballuar numrin në rritje të turistëve, si dhe për të garantuar infrastrukturën e nevojshme.

Në një shkrim për turizmin në Shqipëri, ekspertja e Bankës Botërore, Anita Ellmauer-Klambauer veçon Sarandën si një nga kujtimet më të mira të verës.

Duke analizuar rritjen e turizmit në Shqipëri dhe nevojat që dalin përballë qeverisë për përballimin e fluksit turistik, ekspertja e BB-së ndalet te dy projektet e mbështetura nga BB.

Konkretisht, për të adresuar mungesën e hapësirave publike dhe përmirësuar lëvizshmërinë në Sarandë, qeveria shqiptare, sipas saj, ka prezantuar një projekt të mbështetur nga Banka Botërore, i cili përfshin rinovimin e shkallëve të Sarandës dhe rehabilitimin e shëtitores në buzë të detit.

Këto dy investime, tha Ellmauer-Klambauer, janë vetëm fillimi i një serie aktivitetesh të rivitalizimeve urbane në qytet.

Përveç qytetit bregdetar piktoresk të Sarandës, projekti mbështet edhe Përmetin, destinacion ekoturizmi, si edhe Gjirokastrën dhe Beratin, dy vende të mahnitshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Po ashtu, përveç rivitalizimit urban dhe përmirësimeve në infrastrukturë, përfshirë edhe restaurimet e trashëgimive kulturore, projekti fokusohet në përmirësimin e vendeve turistike në jugun e Shqipërisë, si mbështetjen e sektorit të turizmit, si për shembull zhvillimin e produkteve të turizmit dhe lidhjen e tyre me tregje të mundshme.

Më poshtë shkrimi i publikuar në blogun e faqes së Bankës Botërore:

Një nga kujtimet e mia më të mira nga vera e shkuar ishte zbulimi i Sarandës, e cila ndodhet në pjesën jugore të Rivierës shqiptare. Më mrekulloi vendndodhja e bukur e qytetit në breg të detit Jon, me ujin e tij në ngjyrë blu të errët dhe nga ku në horizont shihej ishulli i Korfuzit (Greqi). Sigurisht unë nuk isha e vetmja vizitore, sepse Saranda është e mbushur me njerëz gjatë verës. Në fakt, popullsia e përhershme e saj është rreth 35.000 banorë, por në korrik-gusht, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm nga turistët. Gjatë vitit 2016, Saranda regjistroi më shumë se 700.000 vizitorë.

Kjo nuk po ndodh vetëm në Sarandë. Gjatë viteve të shkuara, turizmi shqiptar është rritur ndjeshëm, veçanërisht në vende si Ksamili, Saranda dhe Durrësi. Nga gushti i vitit 2017 deri në gusht të 2018, sipas zyrës kombëtare të statistikave, Shqipëria priti 8.2 milionë vizitorë – një rritje prej 16,8% krahasuar me vitin e shkuar. Shumica e turistëve vijnë kryesisht në verë për diellin dhe plazhet e saj. Shifra të tilla priten të vazhdojnë të rriten gjatë viteve të ardhshme. Në Ditën Botërore të Turizmit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit deklaroi madje se Shqipëria synon të tërheqë 10 milionë turistë deri në 2025!

Ndërkohë, si munden destinacione shqiptare kaq popullore si Saranda të përmirësojnë infrastrukturën e tyre vendore dhe hapësirat publike dhe të jenë realisht në gjendje të thithin këtë rritje të madhe të vizitorëve?

Saranda me natyrën e mrekullueshme dhe pasuritë kulturore është vendi i duhur për të nisur këtë diskutim. Qyteti përballet me sfida përsa i takon lëvizjes brenda tij dhe mungesës së hapësirave publike. Sot, njeriu e ka të vështirë të ecë në shëtitoren e saj, duke pasur parasysh numrin e madh të njerëzve që shkojnë aty. (Mua m’u desh të tregohesha e kujdesshme që të mos shkelja këmbët e njerëzve të tjerë gjatë gjithë kohës!). Shëtitorja në buzë të detit, që aktualisht është hapësira kryesore publike e qytetit, nuk mund të përballojë numrin në rritje të turistëve që vizitojnë qytetin çdo vit. Gjithashtu, shkallët që lidhin pjesët e sipërme të qytetit me shëtitoren në breg të detit nuk janë të sigurta dhe kanë nevojë urgjente për t’u riparuar.

Për të adresuar mungesën e hapësirave publike dhe përmirësuar lëvizshmërinë nëpër qytet, Qeveria e Shqipërisë ka prezantuar një projekt të mbështetur nga Banka Botërore, i cili përfshin rinovimin e shkallëve të Sarandës dhe rehabilitimin e shëtitores në buzë të detit.

Këto dy investime janë vetëm fillimi i një serie aktivitetesh të rivitalizimeve urbane në qytet. Përveç qytetit bregdetar piktoresk të Sarandës, projekti mbështet edhe Përmetin, destinacion ekoturizmi, si edhe Gjirokastrën dhe Beratin, dy vende të mahnitshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përveç rivitalizimit urban dhe përmirësimeve në infrastrukturë, përfshirë edhe restaurimet e trashëgimive kulturore, projekti fokusohet në përmirësimin e vendeve turistike në jugun e Shqipërisë si mbështetjen e sektorit të turizmit, si për shembull zhvillimin e produkteve të turizmit dhe lidhjen e tyre me tregje të mundshme.

Sondazhet me banorët, vizitorët dhe bizneset lokale gjithashtu vunë në dukje nevojën e qartë për rritjen e numrit të hapësirave publike, duke përfshirë parqet, hapësirat e gjelbra dhe sheshet e lojërave në bashkitë e përzgjedhura. Cilësia e infrastrukturës bashkiake është klasifikuar ndryshe në bashki të ndryshme, duke treguar se çdo qytet ka nevojë për një qasje të vetën në lidhje me rivitalizimin urban.

Sondazhet me turistë po ashtu nxorën rezultate të dobishme. Vizitorët aktualisht shpenzojnë pesë ditë/net në Sarandë. Rehabilitimi i hapësirave publike mund të kontribuojnë në tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe t’i nxitë ata për të qëndruar më gjatë në një vend të caktuar.

Moria e punimeve transformuese urbane ka një efekt të dyfishtë pozitiv: t’i bëjë qytete si Saranda, më të jetueshme për qytetarët e përhershëm dhe gjithashtu më tërheqëse për vizitorët sezonalë. Përmirësimet urbane në lidhje me lëvizshmërinë dhe sigurinë do t’u japin mundësi si turistëve, ashtu edhe banorëve të shëtisin nëpër qytet përmes shkallëve të rinovuara dhe të kënaqen duke shëtitur përgjatë shëtitores e duke soditur detin.

Po të mendojmë me afat të gjatë, rehabilitimi i hapësirave publike gjithashtu do të përforcojë potencialin turistik të vendit dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të tij dhe në aktivitetet që krijojnë vende pune në nivel vendor. Mezi pres të kthehem sërish në Sarandë për të parë nga afër zhvillimet e reja dhe të lëviz lirshëm në shkallët e reja të qytetit.

/m.m/ /a.g/

Kategori