Bie ritmi i hyrjes së bizneseve të huaja në 2024
Numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u rrit shumë pak në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej vetëm 1% në raport me vitin paraprak. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në fund të vitit 2024, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta arriti në 7,007, nga 6,938 që ishin në vitin 2023.
Në vitin 2024 u shtuan vetëm 69 sipërmarrje të reja, një shifër e konsiderueshme më e ulët krahasuar me 349 që u shtuan në vitin 2023.
Ndërmarrjet e huaja dhe ato me kapital të përbashkët, megjithëse përbëjnë rreth 3% të numrit total të bizneseve në vend, kontribuojnë në 18.8% të punësimit gjithsej dhe 20.4% të shitjeve neto në shkallë vendi.
Bashkimi Evropian vazhdon të jetë burimi kryesor i kapitalit të huaj, me ndërmarrjet nga këto vende që zënë 60.7% të totalit të subjekteve të huaja. Italia mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik, duke zotëruar 2,930 ndërmarrje, të cilat punësojnë pothuajse gjysmën (46.8%) të forcës punëtore në këtë sektor.
Pas Italisë, renditen Kosova me 582 ndërmarrje dhe Turqia me 453. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 11.9% të strukturës.
Shpërndarja e këtyre ndërmarrjeve tregon një fokus të qartë te shërbimet dhe industria. Sektori i Industrisë Përpunuese mbetet punëdhënësi më i madh brenda kësaj kategorie. Nga ana tjetër, volumi më i lartë i qarkullimit të parave regjistrohet në Tregti, ku ndërmarrjet e huaja realizojnë 36.7% të shitjeve neto.
Në industrinë nxjerrëse operojnë shtete të tjera jashtë Europës. Rreth 87.4% e shitjeve neto në këtë sektor kontrollohen nga grupi i “Shteteve të tjera”, ku Kina luan rolin kryesor me 63.7% të peshës, kryesisht për shkak të koncesionit të nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers.
Në sektorët e tjerë si ndërtimi (58.5%), energjia (48.0%) dhe transporti (69.9%), kapitali nga BE-ja mbetet dominues.
Ndonëse shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të huaja (rreth 86%) janë të vogla, me 1 deri në 9 të punësuar, ndikimi më i madh vjen nga ndërmarrjet e mëdha (mbi 250 të punësuar). Këto të fundit, megjithëse në numër të kufizuar (vetëm 69 ndërmarrje), sigurojnë 38.6% të punësimit dhe 31.3% të shitjeve neto brenda gjithë kategorisë së bizneseve me kapital të huaj.
Sa i përket Investimeve Direkte (ID), stoku total në fund të vitit 2024 arriti shifrën prej 15,413.6 milionë euro. Vendet e BE-së zënë 55.2% të këtij stoku. Në nivel shtetesh individuale, Holanda (16.5%) dhe Zvicra (14.7%) kryesojnë listën e investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri, duke dëshmuar për një portofol të diversifikuar investimesh.
