Rritje marramendëse çmimesh ilaçe, abuzime në Ministrinë e Shëndetësisë

Rritje marramendëse e çmimeve të barnave të rimbursueshme. Kush po përfiton?

Është zbuluar një skandal lidhur me çmimet e ilaçeve të rimbursueshme. Pavarësisht se dita e sotme është e shtunë dhe administrata ndodhet në ditën e pushimit, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar listën e barnave të rimbursueshme. Nëse qëllimi do të ishte publikimi i një informacioni të dobishëm, kjo do të ishte për t’u lavdëruar, por duket se ka diçka më tepër.

Çmimet e barnave të importuara (CIF) të publikuara sot, të shtunën më 31 janar, janë shumë herë më të larta krahasuar me çmimet e dy javëve më parë, pra të datës 16 janar. Bëhet fjalë për një rritje që varion nga 3% deri në 4000% më shumë në krahasim me çmimin e 16 janarit.

Më konkretisht:

  • Cefazolina, një antibiotik i përdorur gjerësisht dhe i prodhuar në Kinë, ka pësuar një rritje rreth 4000%.
  • CYCLOLUX, solucion për injeksion 0.5 mmol/ml, ka rritur çmimin me 62%.
  • REMSIMA, përdoret për trajtimin e sëmundjeve autoimune dhe inflamatorie, e prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar, ka një rritje prej 97%.
  • Metformina, një barnë për diabet, e prodhuar në Maqedoninë e Veriut, ka pësuar një rritje prej 2000%.
  • Ibrance, medikament onkologjik për disa lloje të kancerit të gjirit, e prodhuar nga Pfizer, ka një rritje mbi 1000%.
  • PHESGO, gjithashtu për trajtimin e kancerit të gjirit, e prodhuar në Zvicër, ka një rritje prej 1357%.

Procedura e përllogaritjes, e cila tregon rritjen e shumëfishtë të çmimit, ngre dyshime për abuzime. Burime të brendshme bëjnë me dije se këto çmime janë vendosur pa u konsultuar me kompanitë farmaceutike dhe pa marrë parasysh kërkesat e tyre.

Është Ministria e Shëndetësisë ajo që duhet të japë shpjegime për këtë përllogaritje të dyshimtë dhe të sqarojë se cilat kompani farmaceutike përfitojnë nga ky ndryshim shumëfish i çmimit të barnave.

Scroll to Top