Rritje Rekord Kredish në Ekonomi: 15% më shumë në 2025

Kredia e re për ekonominë u rrit me 15% vitin e kaluar

Kredia e re për ekonominë vazhdoi të shënojë ritme dyshifrore, duke arritur një rekord të ri historik vitin e kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë (BSH), vlera totale e kredisë së re të disbursuar shkoi në 436.6 miliardë lekë, çka përfaqëson një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2024.

Veçanërisht, muaji dhjetor 2025 rezultoi rekord, me një shifër të kredisë prej 62.3 miliardë lekësh. Kjo shumë është 30% më e lartë se ajo e regjistruar në dhjetorin e vitit paraprak dhe përfaqëson vlerën më të madhe mujore të kredisë së re të regjistruar ndonjëherë.

Gjatë vitit 2025, kreditimi shënoi rritje më të ndjeshme në segmentin e individëve. Bankat disbursuan rreth 127 miliardë lekë kredi të reja për individët, duke shënuar një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2024. Ky segment vijoi të rritet me ritme të larta, si për kredi banesash, ashtu edhe për kredi konsumatore. Edhe masat e reja të zbatuara nga BSH në gjysmën e dytë të vitit 2025 nuk rezultuan efektive në ngadalësimin e huamarrjes në këtë kategori.

Kreditimi për ndërmarrjet private u rrit gjithashtu me ritme dyshifrore, por më të ulëta në krahasim me individët. Gjatë vitit 2025, sektori bankar dha gjithsej 296 miliardë lekë kredi për bizneset, një rritje prej 10.2% krahasuar me vitin 2024. Ky segment pati një tendencë të fortë rritjeje sidomos në gjysmën e dytë të vitit. Për muajin dhjetor, bankat dhanë 46 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, duke shënuar një rritje prej 32% krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.

Portofoli total i kredisë për ekonominë, në fund të vitit 2025, arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve. Vetëm gjatë muajit dhjetor, portofoli u zgjerua me mbi 18 miliardë lekë. Në bazë vjetore, portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%, duke shënuar një përshpejtim krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024.

Rritja më e lartë në tepricën e portofolit regjistrohet në segmentin e individëve, me 19.2% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2024. Ndërkohë, kredia për biznesin u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Kredia për biznesin vijon të dominojë strukturën e kredisë për ekonominë, duke zënë rreth 55% të portofolit.

Sa i përket monedhës, rritja e kredisë për ekonominë mbetet e përqendruar kryesisht në lek. Portofoli i kredisë në lekë u rrit me 16.5% krahasuar me një vit më parë. Aktualisht, kredia në lekë përbën rreth 60% të portofolit të kredisë për ekonominë. Megjithatë, edhe kredia në valutë ka shënuar rritje dyshifrore, duke u zgjeruar me 10% krahasuar me një vit më parë. Efekti negativ i kursit të këmbimit në portofolin e kredisë në valutë ka qenë më i ulët gjatë vitit 2025.

Scroll to Top