Milot–Balldren Karakaçi: Fituesi brenda dy javësh, ja akset prioritare ku punohet
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi të martën se fituesi i garës për rrugën Milot-Balldre pritet të shpallet brenda dy javëve të ardhshme. Deklarata u bë gjatë një inspektimi në autostradën Tiranë-Durrës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Sipas ministrit, procedura për autostradën Milot–Balldren është në fazën përmbyllëse dhe “brenda dy javësh pritet shpallja e fituesit”. Ky projekt synon të lehtësojë ndjeshëm trafikun në veri të vendit, veçanërisht në drejtim të Shkodrës dhe Lezhës, si dhe gjatë sezonit veror në të gjithë bregdetin e Adriatikut.
Ndërkohë, puna po vijon në autostradën Tiranë–Durrës, e cila konsiderohet si segmenti më i ngarkuar rrugor në vend.
“Këtu jemi në tre kilometrat e para që nisin nga Casa Italia dhe përfundojnë në daljen e Rinasit, të cilat janë të përfunduara dhe të hapura, me shtim të dy korsive dhe rritje të kategorisë në A,” u shpreh Karakaçi.
Projekti përfshin tre faza. Faza e dytë dhe e tretë shtrihen deri në Laknas, duke përfshirë edhe demontimin e mbikalimit të Rinasit. Sipas ministrit, kjo ndërhyrje synon të eliminojë “hinkën e trafikut” që krijohet aktualisht në këtë nyje kyçe, si dhe të krijojë akses më të mirë drejt aeroportit.
Paralelisht, po përgatitet edhe infrastruktura mbështetëse për riorganizimin e zonës së Rinasit, përfshirë sistemimet e rrjetit elektrik dhe ndërtimin e rampave të reja hyrëse.
Nga ana tjetër, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se do të nisë edhe një projekt për gjelbërimin e autostradës Tiranë–Durrës, me synimin për të ndryshuar pamjen urbane të aksit kryesor hyrës në kryeqytet.
Në plan afatmesëm, qeveria synon vijimin e punimeve në vitin 2027 për segmentet e tjera të këtij korridori. Ndërsa disa ndërhyrje do të nisin më herët për të shmangur ndikimin e sezonit turistik.
Projektet përfshijnë gjithashtu përfundimin e procedurave teknike për segmentin Kashar–Lekaj, i cili është në fazë oponence teknike dhe pritet të kalojë në fazën e kontraktimit.
