Tjetër skandal/ Shembet bankina në rrugën Pogradec-Qafë Plloçë
Një pjesë e trotuarit në aksin rrugor Pogradec–Qafë Plloçë, konkretisht në segmentin që kalon pranë fshatit Gështenjas, është shembur plotësisht.
Shembja është konstatuar ditët e fundit. Bashkë me rrëshqitjen e trotuarit, raportohet se janë dëmtuar edhe rrjetet nëntokësore.
Rrëshqitja është e konsiderueshme dhe aktualisht nuk dihet nëse ajo përbën rrezik edhe për karrexhatën e rrugës.
Përveç dëmtimit të trotuarit, ky aks rrugor prej muajsh është pa ndriçim, edhe pse kalon mes zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve.
Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit, përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.
Aksi Pogradec–Qafë Plloçë njihet prej vitesh si një nga “njollat e zeza” të juglindjes për sa i përket aksidenteve rrugore.
