Ministri Gogu publikon pamjet: Investimi në rrugën Tiranë-Ndroq-Plepa nxit zhvillimin e bizneseve
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka theksuar rëndësinë jetësore të ndërtimit të rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa si një nga investimet kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.
Gogu informoi se ky projekt bën pjesë në kuadër të 120 Projekteve me Rëndësi Kombëtare”, të cilat kanë si objektiv të hedhin themelet e zhvillimit për periudhën 2026-2028.
Sipas ministrit, me një investim prej 87 milionë euro, ky aks rrugor paraqet më shumë sesa një ndërhyrje infrastrukturore; ai është një nxitje konkrete për krijimin e vendeve të punës, rritjen e aksesueshmërisë dhe zhvillimin e bizneseve vendase.
Projekti parashikohet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen e segmentit Vaqarr-Pezë-Ndroq me kryeqytetin, detin dhe tregjet, duke hapur më shumë mundësi për banorët e zonës.
Ministri nënvizon se ky investim i jep territorit potencialin për t’u zhvilluar më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme, duke afruar më pranë njerëzit, punën dhe mundësitë.
