Rubio në Mynih: Nuk duam ta përçajmë aleancën me Europën, por të rindërtojmë rendin global
Sekretari amerikan Marco Rubio, gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë të destinuar të jenë bashkë. Deklaratat e tij erdhën duke zbutur tonet diplomatike, një ditë pas kritikave të kancelarit gjerman Merz dhe pas deklaratave se Gjermania dhe Franca po bisedojnë për një program të përbashkët për mbrojtje bërthamore.
Rubio u shpreh se kur SHBA-të nuk pajtohen me Europën, kjo ndodh sepse janë të shqetësuar për fatin e kontinentit të vjetër, i cili është gjithmonë i ndërlidhur me atë të Amerikës.
Ai kërkoi një rindërtim të aleancës dhe rendit global. “Nuk duhet ta braktisim sistemin e bashkëpunimit ndërkombëtar që kemi krijuar, as të çmontojmë institucionet globale të rendit të vjetër. Por këto duhet të reformohen, të rindërtohen. Kombet e Bashkuara kanë ende potencial të madh për të qenë një mjet për të mirën e botës, por nuk mund ta injorojmë faktin se sot, për çështjet më urgjente me të cilat përballemi, ato nuk kanë përgjigje dhe praktikisht nuk kanë luajtur asnjë rol”, tha Rubio.
SHBA-ja, shtoi Rubio, po i hap “rrugën një shekulli të ri begatie”, dhe dëshiron ta bëjë këtë së bashku me Europën. “Ne duam që Europa të jetë e fortë. Besojmë se Europa duhet të mbijetojë. Në fund të fundit, fati ynë është i ndërthurur me tuajin”, shtoi Rubio.
Edhe pas këtij fjalimi frymëzues për diplomacinë, ku sekretari amerikan e cilësoi SHBA-në si ‘një fëmijë të Europës’, liderët e BE-së i qëndruan deklaratave se Europa duhet të qëndrojë mbi këmbët e saj.
