Rubio nga Izraeli: Përpjekjet për kthimin e trupave të pengjeve tek familjet e tyre do të vazhdojnë
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite zyrtare në Izrael, ka deklaruar se përpjekjet për kthimin e trupave të pengjeve izraelitë do të vazhdojnë.
Kjo deklaratë u bë gjatë një takimi me familjarët e dy ushtarëve me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe izraelite. Ata janë mes 13 personave që ende nuk janë dorëzuar nga Hamasi.
“Nuk do të harrojmë jetët e pengjeve që vdiqën në robëri në duart e Hamasit. Sot u takova me familjet e qytetarëve amerikanë Itai Chen dhe Omer Neutra. Nuk do të ndalim përpjekjet tona derisa të riatdhesohen trupat e tyre, si edhe të gjithë të tjerëve (pengjeve)”, shkroi Rubio në platformën X.
Sipas burimeve, rreshteri Itai Chen, 19 vjeç, ndodhej në kufi me Rripin e Gazës kur Hamasi nisi sulmin më 7 tetor 2023. Ushtria izraelite njoftoi vdekjen e tij në mars 2024.
Kapiteni Omer Neutra, i cili ishte bashkuar vullnetarisht me forcat e armatosura izraelite, u vra më 7 tetor, në moshën 21-vjeçare, kur tanku i tij u sulmua në kufirin midis Izraelit dhe Rripit të Gazës. Një video e publikuar nga Hamasi tregon momentin kur ai dhe tre ushtarë të tjerë u nxorrën me forcë nga tanku.
