Rusia kërcënon me bllokimin e WhatsApp-it për arsye sigurie

Rusia kërcënon me ndalimin e plotë të WhatsApp-it: Po përdoret për të kryer akte terroriste

Rusia ka deklaruar të premten se po shqyrton mundësinë e ndalimit të plotë të shërbimit popullor të dërgimit të mesazheve, WhatsApp, duke e akuzuar atë se nuk ka arritur të parandalojë veprimtaritë kriminale.

Ky kërcënim vjen ndërsa Moska po përpiqet t’i inkurajojë qytetarët rusë të kalojnë në shërbime dixhitale të mbështetura nga shteti.

Në gusht, Rusia u kishte kufizuar përdoruesve mundësinë për të kryer thirrje nëpërmjet WhatsApp-it, si pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj rrjeteve sociale në pronësi perëndimore. Kritiku vazhdojnë të thonë se këto veprime synojnë të detyrojnë rusët të përdorin platformat vendase.

Në një deklaratë, autoriteti rus i mbikëqyrjes së komunikimeve, Roskomnadzor, tha se WhatsApp po përdorej për “të organizuar dhe kryer akte terroriste në vend, për të rekrutuar autorë, si dhe për mashtrime dhe krime të tjera kundër qytetarëve tanë”.

“Nëse ai nuk i përmbahet legjislacionit rus, do të bllokohet plotësisht”, thuhet në deklaratë.

Gjiganti amerikan i teknologjisë Meta, pronar i WhatsApp-it, nuk ka bërë ende komente.

WhatsApp është një nga dy shërbimet më të njohura të dërgimit të mesazheve në Rusi, së bashku me Telegramin. Moska kërkon që këto dy platforma t’i ofrojnë qasje në të dhëna sipas kërkesave të organeve ligjzbatuese, për hetime mashtrimesh dhe për aktivitete që Rusia i cilëson si “terroriste”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut shprehin shqetësimin se kjo mund të çojë në zgjerimin e shtetit mbikëqyrës në Rusi dhe mund të përdoret për të shënjestruar kritikët e Kremlinit, presidentit Vladimir Putin ose luftës në Ukrainë.

Scroll to Top