Rusia kërkon bisedime, forcat avancojnë në Pokrovsk

Lufta në Ukrainë, Rusia shprehet e gatshme për rifillimin e bisedimeve

Rusia njoftoi të mërkurën se forcat e saj po vazhdojnë të përparojnë pranë Pokrovskut, teksa Moska intensifikon përpjekjet për të depërtuar në këtë qytet ukrainas të shkatërruar, i cili, sipas zyrtarëve lokalë, ndodhet në një situatë të vështirë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi të mërkurën se trupat e saj kanë dëbuar forcat ukrainase nga Sukhyi Yar, një zonë e vendosur pak në jug të Pokrovskut. Kjo zonë është thelbësore për strategjinë e Kremlinit për të siguruar një pikëmbështetje për të avancuar në veri drejt dy qyteteve më të mëdha të rajonit të Donjeckut që ende kontrollohen nga Ukraina: Kramatorskut dhe Slovianskut.

Pokrovsku, një qytet me rreth 7.000 banorë – krahasuar me mbi 60.000 banorë para luftës – ka nyje të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore dhe ka qenë në rrezik nga rrethimi nga forcat ruse pothuajse gjatë gjithë vitit.

Raportet për përparimin, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, vijnë në një kohë kur Kremlini ka deklaruar se Britania ka tentuar të hapë një kanal të fshehtë komunikimi për të rifilluar dialogun. Siç raportoi fillimisht Financial Times, ky përpjekje kishte si qëllim t’i jepte fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ka pasur me të vërtetë kontakte”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se bisedimet dështuan sepse “mungonte çdo qëllim apo dëshirë për të dëgjuar qëndrimin tonë”.

“Duke qenë se nuk ishte e mundur të shkëmbeheshin pikëpamje, dialogu i ndërsjellë nuk u zhvillua”, ka theksuar ai, pa dhënë hollësi se kur ka ndodhur komunikimi.

Më herët të mërkurën, agjencia shtetërore ruse TASS citoi një zyrtar të Ministrisë së Jashtme të ketë thënë se Rusia është e gatshme të rifillojë negociatat e paqes me Ukrainën në Stamboll.

Scroll to Top