Rusia i bën thirrje për t’i dhënë fund armiqësive në Gjirin Persik
Rusia lëshoi të enjten një thirrje të re për t’i dhënë fund armiqësive në Gjirin Persik. Ministria e jashtme ruse propozoi që veprimet të fillojnë me ndalimin e sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Rusia ofroi gjithashtu të përdorë ndikimin e saj diplomatik për të ndihmuar në përfundimin e luftimeve.
“Ne bëjmë thirrje për ndërprerjen sa më të shpejtë të armiqësive, të cilat rezultuan nga agresioni i paprovokuar i SHBA-së dhe Izraelit,” thuhej në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ministrisë.
“Rusia, së bashku me Kinën, Turqinë dhe palë të tjera me të njëjtat mendime, është e gatshme të ndihmojë në një zgjidhje të konfliktit dhe në kërkimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mjete diplomatike-politike. Le të theksojmë se hapi i parë në këtë rrugë duhet të jetë një marrëveshje e shpejtë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli për të ndaluar aventurën e tyre ushtarake.”
Sipas deklaratës, Rusia mbështet zhvillimin e sigurisë kolektive në Gjirin Persik, “që synon vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon dhe bashkëpunimin midis të gjitha vendeve bregdetare”.
Rusia ka një “partneritet strategjik” me Iranin, por kjo marrëveshje nuk përbën një traktat mbrojtjeje të ndërsjellë. Moska, duke synuar të ruajë marrëdhënie të mira me Uashingtonin, ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe është ofruar të veprojë si ndërmjetës.
