Rusia & Koreja e Veriut: Takim Putin, luftë në Ukrainë

A do të përdorë Rusia rezervistë në luftën ndaj Ukrainës? Putin takon në Kremlin kryediplomaten e Koresë së Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pritur në Kremlin, më 27 tetor, kryediplomaten e Koresë së Veriut, ndërsa forcat ruse vazhdojnë ofensivën në lindje të Ukrainës, duke depërtuar në një qytet kyç mes luftimeve të ashpra.

Mediat e Koresë së Veriut raportuan se ministrja e Jashtme, Choe Son Hui, diskutoi për “shumë projekte të ardhshme për të forcuar dhe zhvilluar vazhdimisht” marrëdhëniet dypalëshe, duke i përcjellë po ashtu presidentit Putin “respektin vëllazëror” të udhëheqësit Kim Jong Un. Nuk u dhanë detaje të tjera për takimin.

Koreja e Veriut është bërë një mbështetëse kryesore e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke dërguar artileri, raketa dhe trupa në Rusi. Pheniani, në këmbim, ka pranuar teknologji ushtarake ruse dhe ndihmë ekonomike.

Vizita e kryediplomates së Koresë së Veriut vjen në një kohë kur Rusia po përballet me vështirësi në mbajtjen e nivelit të rekrutimeve, për shkak të humbjeve në rritje dhe stimulimeve financiare të ulëta. Javën e kaluar, Rusia njoftoi se do të synojë të përdorë rezervistët për të mbrojtur infrastrukturën civile, pas rritjes së sulmeve ukrainase me dronë. Një veprim i tillë potencialisht do t’i lejonte Moskës të kishte më shumë trupa për luftë në front, ku po përballet me humbje të mëdha në përpjekjen për të marrë sa më shumë territor të Ukrainës.

Rusia gjithashtu raportohet se po synon të rekrutojë më shumë luftëtarë të huaj për të plotësuar radhët. Deri më tani, Koreja e Veriut ka qenë furnizuesja më e madhe me trupa të huaja për Rusinë, duke dërguar, sipas raportimeve, 11.000 ushtarë vitin e kaluar për të zmbrapsur ushtarët ukrainas nga rajoni rus i Kurskut. Mediat në Korenë e Veriut nuk treguan nëse Choe ka diskutuar për dërgimin e më shumë ushtarëve drejt Rusisë.

Pavarësisht humbjeve të mëdha në front, forcat e armatosura ruse vazhdojnë të përparojnë ngadalë në lindje të Ukrainës. Rreth 200 trupa ruse kanë hyrë në qytetin kyç logjistik Pokrovsk, në rajonin Donjeckut. Në fjalimin e tij të përnatshëm, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka grumbulluar forca të mëdha sulmuese afër Pokrovskut. Ai shtoi se aktualisht ka “aktivitet të konsiderueshëm sulmues” rreth qytetit, përfshirë brenda tij, por nuk dha një vlerësim për situatën. Rusia ka tentuar të marrë Pokrovskun për më shumë se një vit.

Ndërkohë, Zelensky tha se ka zhvilluar një takim me prodhuesit e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar gatishmërinë për të nënshkruar kontrata trevjeçare me kompanitë që prodhojnë armët më efektive. Lideri ukrainas shtoi se është siguruar financimi për këto armë.

Ukraina i sheh armët me rreze të gjatë si një mjet kyç për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në Evropë për dekada. Ajo ka përdorur dronë dhe raketa të prodhuara në Ukrainë për të kryer sulme thellë brenda Rusisë, duke shënjestruar rafineritë e naftës, të cilat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave të Rusisë. Megjithatë, Ukraina po kërkon raketa më të fuqishme perëndimore, përfshirë Tomahawk, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, për të sulmuar këto caqe.

Eksportet e naftës ruse përbëjnë rreth një të tretën e të ardhurave totale të buxhetit federal rus dhe janë thelbësore për financimin e luftës së Kremlinit. Sulmet ndaj rafinerive po ndodhin në një kohë kur çmimet e naftës po bien dhe kur Moska po përballet me raundin më të ashpër të sanksioneve perëndimore, duke thelluar problemet ekonomike të vendit. Javën e kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi dhe paralajmëroi se palët e treta që blejnë produktet e tyre, si Kina dhe India, mund të përballen me ndëshkime. Këto sanksione erdhën pas një mase të ngjashme të vendosur nga Mbretëria e Bashkuar dhe pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj industrisë ruse të naftës./Rel

Scroll to Top