Rusia prapa garës teknologjike: IA dhe robotika sfida të mëdha

## Inteligjenca artificiale dhe robotika i kanë shkaktuar ‘dhimbje koke’ Putinit, Rusia në disfatë për garën në teknologji

Ndryshe nga Lufta e Ftohtë, ku konkurrenca mes superfuqive bazohej në numrin e armëve bërthamore dhe trupave, sot gara teknologjike merr përmasa të reja. Përparimi në fushën e inteligjencës artificiale (IA), niveli i procesorëve kompjuterikë dhe aplikimet robotike që shfrytëzojnë zhvillimet e IA-së dhe shkencës kompjuterike, janë përcaktuesit kryesorë të epërsisë teknologjike.

Rusia, për fat të keq, ndodhet dukshëm prapa në këto fusha, jo vetëm në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, por edhe me disa vende europiane më të vogla. Pavarësisht deklaratave të shpeshta të Presidentit Vladimir Putin për nevojën që Rusia të bëhet lidere në IA, vendi mbetet larg avancimit të duhur, ndërsa të tjerët po ecin përpara.

Ndërsa SHBA-ja dhe Kina garojnë për dominimin në modelet dhe aplikimet e IA-së, dhe vendet europiane e ato të Lindjes së Mesme po investojnë fuqishëm, lufta në Ukrainë ka ndikuar në përmbysjen e ambicieve të mëparshme të Rusisë.

### Renditja e Rusisë në fushën e IA-së

* Në versionin rusisht të platformës LM Arena, ku përdoruesit vlerësojnë modele të IA-së, modeli më i mirë rus renditet vetëm në vendin e 25-të, prapa edhe modeleve më të vjetra të ChatGPT dhe Gemini të Google.
* Sipas mjetit Global AI Vibrancy Tool të Universitetit të Stanfordit, publikuar në nëntor, Rusia zë vendin e 28-të nga 36 vende të analizuara.

### Shkaqet e ngecjes ruse

Sanksionet perëndimore kanë kufizuar qasjen e Rusisë në materiale kyçe si gjysmëpërçuesit, duke paralizuar aftësitë e saj prodhuese. Kompanitë ruse janë të detyruara të përdorin ndërmjetës në vende të treta për të siguruar çdo gjë, nga çipet e teknologjisë së lartë deri te abonimet bazë në ChatGPT. Gjithashtu, Rusia është bërë gjithnjë e më e varur nga Kina, duke thelluar varësinë e saj ekonomike.

Një faktor tjetër shqetësues është **”brain drain”**, ku talentet kryesore teknologjike kanë braktisur Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Të shkëputura nga tregjet ndërkombëtare, kompanitë ruse të IA-së kanë grumbulluar vetëm rreth 30 milionë dollarë fonde vitin e kaluar, ndërsa vetëm OpenAI ka mbledhur mbi 6 miliardë dollarë.

### Perspektiva e ekspertëve

Yuri Pondorozhny, ish-drejtues i industrisë ruse të teknologjisë, i cili u largua nga Rusia në 2022 dhe aktualisht jeton në Londër, shprehet: “Rusia ka vite që ngec në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Vendi tashmë e ka humbur garën dhe është e pamundur ta kapë diferencën.” Edhe drejtues të IA-së që punojnë ende në Moskë ndajnë të njëjtin mendim, duke theksuar se izolimi ekonomik dhe gjeopolitik pengon financimin dhe zgjerimin e kompanive jashtë Rusisë.

### Rëndësia strategjike e IA-së

Ndërsa IA-ja po riformëson ekonominë globale, shtetet po luftojnë për kontrollin e infrastrukturës, të dhënave dhe modeleve të IA-së, për të shmangur varësinë strategjike. Edhe në fushën ushtarake, gatishmëria lidhet gjithnjë e më shumë me aftësitë e IA-së, duke filluar nga sistemet autonome mbrojtëse deri te mjetet e vendimmarrjes në fushëbetejë.

Për Moskën, kjo është veçanërisht e rëndësishme përballë përplasjes së vazhdueshme me Perëndimin. Siç deklaroi vetë Putini muajin e kaluar: “Ne nuk mund të lejojmë varësinë nga sistemet e huaja. Për Rusinë, kjo është çështje sovraniteti shtetëror, teknologjik dhe vleror.”

Autoritetet ruse, megjithëse pranojnë disa mangësi, pretendojnë se modelet vendase po përmirësohen shpejt.

Scroll to Top