Barometri 2025: 50% e bizneseve paguajnë ryshfet në administratë
Sipas të dhënave më të fundit nga Barometri i Ballkanit, ryshfeti që bizneset i paguajnë administratës publike është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025. Ky fakt tregon një përkeqësim të perceptimit të bizneseve në Shqipëri lidhur me pagesat e parregullta, pavarësisht se shumica e shërbimeve po zhvendosen online.
Në vitin 2024, rreth 41% e bizneseve shqiptare shpreheshin se “priren të pajtohen” ose ishin “plotësisht dakord” me pohimin se është e zakonshme të kryhen pagesa apo dhurata shtesë për të finalizuar punët me zyrtarët. Në vitin 2025, kjo përqindje arrin në 50%, duke shënuar një rritje prej 9 pikë përqindje brenda vetëm një viti për bizneset që e konsiderojnë ryshfetin si një praktikë të zakonshme.
Ndryshe nga viti 2024, ku një pjesë më e madhe e bizneseve shpreheshin hapur se “nuk ishin dakord” me këtë pohim, në vitin 2025 bie pesha e atyre që “nuk janë aspak dakord” apo që “kanë tendencë të mos jenë dakord”. Kjo tregon se rezistenca ndaj normalizimit të ryshfetit po dobësohet.
Anketa e Barometrit 2025 tregon se klima e perceptuar e korrupsionit në marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës në Shqipëri është përkeqësuar, pasi gjithnjë e më shumë biznese e shohin pagesën e ryshfetit si pjesë të zakonshme të funksionimit të sistemit.
Krahasimi Rajonal:
- Në nivel rajonal, përqindja e bizneseve që “priren të pajtohen” ose janë “plotësisht dakord” se ryshfeti është i zakonshëm u rrit nga rreth 41% në vitin 2024 në 47% në 2025, pra një rritje prej afërsisht 6 pikë përqindje.
- Në Shqipëri, kjo rritje është më e theksuar, me 9 pikë përqindje.
- Bosnja kryeson rajonin me 67% të bizneseve që perceptojnë ryshfetin si mekanizëm në punët me administratën, e ndjekur nga Mali i Zi me 59% dhe Shqipëria me 50%.
- Në Serbi perceptohet niveli më i ulët, me 30%.
Ndryshe nga rajoni, ku rritja e perceptimit të ryshfetit shoqërohet me një shpërndarje më të balancuar të qëndrimeve, në Shqipëri vihet re një zhvendosje më e fortë drejt pranimit të kësaj praktike.
Rritja më e fortë e perceptimit për ryshfetin në Shqipëri po shkaktohet edhe nga barra administrative dhe paqartësia rregullatore. Procedurat e gjata, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe interpretimi i pa-unifikuar i rregullave krijojnë hapësirë për negocim informal, ku pagesat e parregullta shihen si mënyrë për të përshpejtuar apo siguruar zgjidhje. Bizneset që operojnë në mënyrë formale shpesh ndihen më të ekspozuara ndaj inspektimeve dhe gjobave, ndërsa informaliteti tolerohet në mënyrë selektive.
