Dëmtimi i linjës hekurudhore në Poloni, Donald Tusk deklaron: “Ishte sabotim!”
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar sot se shpërthimi që dëmtoi rëndë linjën hekurudhore Varshavë–Lublin të dielën, ishte një akt sabotazhi i qëllimshëm.
“Shpërthimi i një pajisjeje eksplozive ka shkatërruar plotësisht një pjesë të shinave,” shkroi Tusk në platformën X. Ai shtoi se autorët do të kapen nga policia polake.
“Shpërthimi në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin është një akt sabotazhi pa precedent, i cili kishte për synim sigurinë e shtetit polak dhe të qytetarëve të tij. Hetimet janë në zhvillim e sipër. Ashtu si në rastet e mëparshme, do të kapim autorët, pavarësisht se kush i mbështet,” theksoi ai.
Tusk theksoi gjithashtu se në të njëjtën linjë, më pranë Lublin-it, janë zbuluar dëmtime të tjera të dyshimta. Shërbimet e emergjencës dhe prokuroria po punojnë në terren.
Policia lokale njoftoi të dielën se një makinist kishte raportuar dëmtime të mëdha në hekurudhën qendrore të Polonisë.
Varshava ka përsëritur shpesh se, për shkak të rolit të saj si nyje kryesore për ndihmat ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës, Polonia është bërë shënjestër e vazhdueshme e akteve të sabotazhit. Moska i ka mohuar sistematikisht këto akuza.
Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, njoftoi se ushtria po kontrollon me imtësi një segment hekurudhor 120-kilometërsh që çon drejt kufirit me Ukrainën.
