Salianji: Protestat e PD-së i hapin rrugën Edi Ramës

Salianji: Protestat e PD-së po i hapin rrugën Edi Ramës

Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Të pa kthyer” në MCN TV, ka deklaruar se protestat e Partisë Demokratike, si ajo e fundit ku u hodhën molotovë drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, po i shërbejnë Edi Ramës. Ai shpjegoi se këto akte kanë sjellë reagime negative nga ambasadat, duke u kthyer kundër PD-së.

Salianji theksoi se Partia Demokratike ka një mungesë vizioni te lidershipi, ndërsa shtoi se Lulzim Berisha po i organizon protestat për shkak të nevojës për të fituar zgjedhjet e brendshme të partisë që do të mbahen në prill.

“Ka shumë arsye për të protestuar, por mungon një strategji e qartë nga lidershipi. Megjithëse qeveria ka rënë moralisht dhe është përfshirë në shumë skandale, narrativa që përdor lidershipi i PD-së, së bashku me paqartësitë strategjike, po i shkon në favor Ramës,” u shpreh Salianji.

Ai shtoi se revolta e qytetarëve duhet vlerësuar, por drejtimi i saj është i gabuar. Sipas tij, protestat mund të ishin drejtuar kundër objektivave më simbolikë si Ministria e Infrastrukturës apo Ministria e Brendshme. “Unë i shoh këto si protesta që synojnë të ndikojnë në zgjedhjet e prillit, jo të rrëzojnë Ramën,” tha ai.

Salianji nënvizoi se PD ka qenë e dobët dhe lëvizja e tij me një grup tjetër ka gjallëruar pak partinë, por ajo mbetet e dëshpëruar nga humbjet e njëpasnjëshme. Ai karakterizoi protestat si as të dhunshme, as paqësore, por një formë të ndërmjetme që nuk tërheqin aq sa duhet qytetarët për korrupsionin, duke demotivuar edhe militantët.

“Është një flakë që synon të mbyllë sytë dhe të rezistojë ndryshimit. PD ka nevojë urgjente për ndryshim brenda vetes. Janë zhvilluar 5 protesta dhe çdo javë pretendohet se do të ketë një ndryshim, por Rama vijon punën e tij. Duhet të shikojmë nga vetja, mos problemi është edhe te ne,” theksoi Salianji.

Ai shtoi se protestat janë një instrument reagimi për skandalet, por pritshmëritë se Rama do të rrëzohet brenda javës janë problematike. “Vutë re që u tha se bëmë gabim duke hedhur ato, se ishin artistët e huaj. Nëse duan të tregojnë forcë, le ta bëjnë te Kryeministria,” tha ai.

Salianji shtoi se deri në protestën e fundit nuk kishte pasur reagim nga ambasadat, por tani ka, duke dënuar dhunën, sepse u dha atyre pretekst. “Nuk kishte reagim kur protestohej te Kryeministria,” tha ai.

“Unë e shoh edhe me një problematikë tjetër: kjo zhvendos fokusin dhe i shkon në favor Edi Ramës. Ajo zhvendos vëmendjen nga problemi kryesor. Sot, PD mund ta kishte zaptuar hapësirën publike duke diskutuar për dosje, por nuk po e bën. PD duhet të dalë dhe të tregojë faktet,” përfundoi Salianji.

Scroll to Top