Samiti G20 pa liderët kryesorë: Cilat janë pasojat?

Multilateralizmi mund dhe do të japë rezultate, Samiti në Johanesburg, Ramaphosa: Duhet të largohemi me ndjesinë se G20 është forcuar

Kancelari Friedrich Merz synon të promovojë multilateralizmin në samitin e G20 në Afrikën e Jugut. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Rusia përfaqësojnë një qëndrim të kundërt, pasi liderët e këtyre vendeve as nuk marrin pjesë në samit.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, gjatë ditës së parë të samitit të G20-s në Johanesburg, theksoi se ky samit, i pari i G20-ës në Afrikë, ka përgjegjësinë të mos lejojë dobësimin e integritetit dhe besueshmërisë së G20. “Duhet të largohemi nga ky samit me ndjesinë se G20 është forcuar,” u shpreh ai.

Ramaphosa kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve globale, duke përfshirë përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike, ngrohjen globale, sigurinë energjetike dhe konfliktet e armatosura. “Multilateralizmi mund dhe do të japë rezultate,” deklaroi Ramaphosa në fjalimin e tij hapës, duke kritikuar gjithashtu hendekun midis vendeve të pasura dhe të varfra si një nga pengesat kryesore për rritje të qëndrueshme. Ai shtoi se kjo pabarazi është “e padrejtë dhe e papranueshme”.

Si mikpritëse e samitit të G20, Afrika e Jugut ka përcaktuar si prioritete tematike të samitit “solidaritetin, barazinë dhe qëndrueshmërinë”.

Samiti i G20-ës arriti të miratonte një deklaratë të përbashkët që në ditën e parë, pavarësisht rezistencës së SHBA-së. Ekonomitë më të rëndësishme industriale dhe në zhvillim, me përjashtim të SHBA-së dhe Argjentinës, u zotuan ndër të tjera për zgjerimin e energjive të rinovueshme dhe për financim më të drejtë të kostove të ndryshimeve klimatike.

Samit pa SHBA, Kinë, Rusi

G20 është forumi që bashkon vendet kryesore industriale dhe ekonomitë në zhvillim që nga viti 1999. Kjo përzierje e fazave të ndryshme të zhvillimit dhe sistemeve politike e bën G20-ën të vlefshëm në sytë e anëtarëve të saj. Ai përfshin 19 vende, si dhe dy organizata rajonale: BE-në dhe Bashkimin Afrikan. Anëtarët e saj përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit ekonomik global.

Megjithatë, për herë të parë në historinë e samitit, munguan tre krerët më të rëndësishëm të shteteve dhe qeverive: presidentët e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.

Trump, Xi, Putin pa interes tek G20

Presidenti kinez, Xi Jinping, nuk ofroi asnjë shpjegim për refuzimin e pjesëmarrjes. Putin, i cili përballet me kërcënimin e vazhdueshëm të arrestimit jashtë vendit, nuk ka marrë pjesë në asnjë takim që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër-arresti për përfshirjen e tij në sulmin ndaj Ukrainës. Donald Trump, nga ana e tij, nuk po dërgon asnjë delegacion në Johanesburg, një situatë e paprecendentë. Presidenti i SHBA-së e ka justifikuar vendimin e tij duke pretenduar se fermerët e bardhë persekutohen në Afrikën e Jugut, pa marrë parasysh veprimet e qeverisë vendase. Gjatë një vizite të Presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, Trump madje foli për “gjenocid”, akuzë të cilën qeveria e Afrikës së Jugut e mohon fuqishëm. Edhe qeveria gjermane nuk sheh prova për ta mbështetur këtë pretendim.

Çfarë do të thotë mungesa e “Treshes së Madhe” për samitin G20?

“Kjo tregon se tre liderët kryesorë të politikës botërore duket se nuk i kushtojnë më shumë rëndësi kësaj ngjarjeje, për arsye shumë të ndryshme,” shkruan politologu Johannes Varwick për DW. Ai, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Halle-s, thekson: “Kjo nuk është një shenjë e mirë për llojin e multilateralizmit që është kultivuar prej kohësh në Grupin e 20-tës.”

Rend i ri botëror

Për Kancelarin Friedrich Merz, kjo nuk është arsye për të qëndruar në Berlin. Përkundrazi, para samitit në Afrikën e Jugut, ai u shpreh në X se “së bashku, ne mbështesim partneritete të forta, diplomaci krizash dhe një rend të bazuar në ligj dhe besueshmëri.”

Zëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille, shtoi: “Të mos përqendrohemi gjithmonë tek ata që nuk janë aty, por edhe tek ata që janë. G20 është dhe mbetet një forum i rëndësishëm për qeverinë gjermane.”

Qeveria gjermane ka theksuar se ndodhet përballë një mjedisi ndërkombëtar të vështirë për G20-ën, ku rendi multilateral që ajo mbështet po vihet në pikëpyetje, veçanërisht në mënyrë drastike nga sulmi rus ndaj Ukrainës. Megjithatë, edhe brenda G20-ës, ka shtete që nuk e kanë dënuar sulmin. Jo vetëm që refuzojnë të marrin pjesë në sanksionet kundër Rusisë, por, ashtu si India, madje përfitojnë prej tyre si ndërmjetës për naftën ruse.

Riorientimi i G20-s qysh nga themelimi lidhet edhe me fuqizimin e madh ekonomik dhe ushtarak të Kinës. Kina po shfrytëzon pa mëshirë ndikimin e saj në rritje, qoftë përmes mbështetjes së Rusisë në luftën kundër Ukrainës apo përmes kufizimeve të eksportit të metaleve të rralla.

“Aktualisht po shohim rishpërndarjen e shpejtë të peshës politike globale dhe pushtetit,” thotë Johannes Varwick. “Perëndimi politik, i ndarë nga brenda, nuk është më fuqia dominuese në shumë çështje, dhe shtetet e Jugut Global po dalin me vetëbesim të ripërtërirë. Pavarësisht këtyre ndryshimeve strukturore, G20 ishte një tregues i qartë se fuqitë e vendosura dhe ato në zhvillim ishin të interesuara për dialog dhe donin të eksploronin nëse dhe çfarë mund të arrinin së bashku.”

Kjo, për momentin, ka marrë fund./DW

Scroll to Top