Udhëheqësit e vendeve të G7 mblidhen për t’u përballur me luftërat në Iran dhe Ukrainë; ekonomia globale në fokus.
Liderët e shtatë ekonomive më të zhvilluara të botës janë mbledhur në Francë për samitin e G7, ku konfliktet në Iran dhe Ukrainë pritet të dominojnë diskutimet mes krerëve të shteteve dhe qeverive. Në fokus të takimeve janë përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, mbështetja për Ukrainën, si dhe sfidat ekonomike dhe të sigurisë globale.
Ky takim vjen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar optimizëm për mundësinë e avancimit të një procesi paqeje lidhur me Iranin. Megjithatë, liderët e tjerë të G7 janë shprehur më të rezervuar, duke theksuar nevojën për hapa konkretë dhe garanci për stabilitetin rajonal.
Një zhvillim tjetër që parapriu samitin ishte deklarata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili tha të hënën se nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të vendoste tarifa 100% për verën franceze nëse Parisi refuzon të heqë taksën 3% mbi kompanitë amerikane të teknologjisë. Trump, në një intervistë për “New York Post”, tha se ia kishte përcjellë paralajmërimin drejtpërdrejt Presidentit francez Emmanuel Macron, duke i kërkuar Macron të heqë taksën prej 3% të Francës mbi gjigantët amerikanë të teknologjisë ose të përballet me detyrime në tregun amerikan.
Ndërkohë, në prag të samitit janë zhvilluar protesta të mëdha në Gjenevë të Zvicrës. Mijëra demonstrues dolën në rrugë për të kundërshtuar politikat e vendeve të G7, ndërsa në disa zona pati përplasje me forcat e policisë. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën pas akteve të dhunshme dhe vandalizmit.
Autoritetet franceze dhe zvicerane kanë vendosur masa të shtuara sigurie rreth samitit për të parandaluar incidente të tjera. Pritet që takimet e liderëve të vijojnë me diskutime intensive mbi krizën në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera kyçe të politikës ndërkombëtare.
