Analiza e DW: Varësia e Beogradit nga nafta ruse dhe sanksionet nga SHBA
Firma shtetërore serbe e naftës NIS është në pjesën më të madhe në pronësi ruse, ndaj Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione. Këto masa po fillojnë të ndjehen tashmë në Serbi. Pavarësisht presionit të fortë nga Bashkimi Europian, Beogradi vijon të ruajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe refuzon të vendosë sanksione kundër saj. Serbia është tepër e varur nga furnizimet ruse me gaz, por marrëveshja për gazin e vitit 2022 skadon në fund të vitit aktual.
Ndërkohë, prej një jave kanë hyrë në fuqi sanksionet e SHBA-së që prekin koncernin serb NIS. Meqenëse NIS mbulon mbi 80% të nevojave të Serbisë për naftë dhe benzinë, kjo mund të ketë pasoja të konsiderueshme, sipas ekspertëve.
### Përse u shit NIS koncernit rus Gazprom?
Serbia ka probleme të mëdha për shkak të një marrëveshjeje ekonomike me Rusinë të vitit 2008. Asokohe, shteti serb, duke pasur ndërmarrjen shtetërore të naftës NIS (Naftna Industrija Srbije) në vështirësi financiare, ia shiti atë koncernit rus të naftës Gazprom Neft. Serbia shpresonte jo vetëm për përfitime ekonomike, por edhe për avantazhe politike, kryesisht mbështetjen ruse në lidhje me konfliktin e Kosovës. Aktualisht, Gazprom Neft, së bashku me Gazprom, zotëron rreth 56% të aksioneve të NIS, ndërsa shteti i Serbisë ka rreth 30% të aksioneve. Si pasojë, në janar të këtij viti, firma serbe e naftës u përball me paketën e sanksioneve të SHBA-së ndaj ekonomisë energjetike ruse.
### Ndërpriten furnizimet
Sanksionet kundër Rusisë dhe sektorit të saj energjetik u vendosën nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në fund të mandatit të tij. Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ekzistonte një përjashtim për sanksionet ndaj NIS, për të mos rrezikuar furnizimin me energji në Serbi. Por, ky përjashtim përfundoi më 9 tetor 2025. Tani, pa përjashtim, NIS do të ndiejë vërtetë pasojat e sanksioneve.
Meqenëse Serbia prodhon brenda vendit më pak se një të katërtën e nevojave të saj për naftë, NIS e merr naftën kryesisht nga vende si Kazakistani, Azerbajxhani apo Nigeria. Nafta transportohet me cisterna në Kroaci dhe prej andej, përmes tubacioneve, kalon në Serbi. Tani që sanksionet kanë hyrë në fuqi, shoqëria kroate e linjave naftësjellëse JANAF i ka ndërprerë furnizimet.
### Akuza ndaj qeverisë në Serbi
Opozita serbe kritikon qeverinë, duke thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk ka bërë asgjë për t’u shkëputur nga varësia ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, prej kohësh ishte e qartë që SHBA do t’i vinte në veprim sanksionet. Ekspertët vërejnë gjithashtu se qeveria ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme përballë këtij problemi.
### Kontrata e gazit është shtyrë deri në fund të vitit
Në maj të këtij viti, përfundoi afati i një marrëveshjeje dhjetë-vjeçare me Gazpromin rus. Pala ruse e ka shtyrë afatin e kësaj marrëveshjeje deri në fund të këtij viti. Tani, në Serbi po spekulohet se Rusia po bën presion me këtë veprim që koncerni i naftës NIS të mos kthehet sërish në pronësi të shtetit serb. Ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharçenko, e ka hedhur poshtë këtë duke deklaruar: “Ne nuk do ta ndërpresim furnizimin me gaz në Serbi. Ne do ta vazhdojmë atë edhe më tej me çmime më të mira.”
### Riblerje e aksioneve nga Serbia?
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, para pak ditësh u takua me kryetarin e kryesisë së kompanisë ruse Gazprom Neft, Alexander Djukov, dhe me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, për të negociuar lidhur me NIS. Megjithëse nuk u bë e ditur zgjidhja përfundimtare, Vuçiq u premtoi qytetarëve serbë se nuk do të ketë krizë energjetike. Ai u shpreh: “Kohët janë të vështira. Por mund t’u siguroj qytetarëve të Serbisë, se nuk do të ketë mungesë të naftës apo derivateve të saj dhe as ndonjë krizë energjetike në Serbi. Miqtë tanë rusë e kanë kuptuar mesazhin tonë, dhe ne e kemi kuptuar, se cilat janë interesat e tyre. Do të bëjmë gjithçka, që është më e mira taktikisht dhe strategjikisht për Serbinë.”
Mediat serbe, nga burime të ndryshme, kanë mësuar se shteti serb planifikon të riblejë një pjesë të NIS, në mënyrë që koncernet shtetërore ruse të mos jenë më pronare të shumicës së aksioneve. Nëse Rusia arrin të “normalizojë” pozitën e saj ndërkombëtarisht, mund të jetë plan që aksionet t’i shiten sërish Rusisë.
### A do të ketë krizë furnizimi me karburant?
Serbia ende nuk ka ngushticë furnizimi. Por disa qytetarë shqetësohen se mund t’u duhet sërish, si në vitet 1990 të luftës, të blejnë benzinë me shishe e bidonë. Pasojat e para të sanksioneve qytetarët kanë filluar t’i ndiejnë, sepse pikat e furnizimit me karburant të NIS dhe Gazprom në Serbi janë të shkëputura nga sistemi i pagesave me kartat e kreditit Visa, Mastercard dhe American Express.