Sulmet mbi Ukrainë vijojnë që nga shkurti 2022 / Kallas: BE po përgatit sanksione të reja kundër Rusisë, prezantohen në vjeshtë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt, ka deklaruar se po përgatitet të propozojë një rritje të numrit të subjekteve ruse që i nënshtrohen sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë.
“Këtë vjeshtë, unë po propozoj listën më ambicioze të sanksioneve që nga fillimi i luftës. Pasi të miratohen, këto masa do ta rrisin menjëherë numrin e përgjithshëm të subjekteve ruse që i nënshtrohen sanksioneve me një të tretën”, tha ajo.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit, theksoi gjithashtu se që kur forcat e armatosura ruse pushtuan territorin ukrainas në shkurt 2022, “sanksionet e BE-së i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë, duke i privuar makinës së saj të luftës mbi një trilion euro”.
