Goditje tjetër për Sarkozy-n, Gjykata e Lartë konfirmon dënimin për financim të paligjshëm të fushatës në 2012
Gjykata e Lartë e Francës ka vendosur sot dënimin përfundimtar të Nicolas Sarkozy-t në çështjen Bygmalion, e cila lidhet me financimin e paligjshëm të fushatës së tij elektorale në vitin 2012.
Ky është dënimi i dytë penal për ish-presidentin, pas çështjes së “dëgjimeve të paligjshme”. Në këtë çështje, Sarkozy ishte dënuar më 14 shkurt 2024 nga Apeli i Parisit me një vit burg, nga i cili gjashtë muaj me kusht.
Sipas Le Monde, gjykata kishte urdhëruar që dënimi të kryhej me mënyra alternative, si arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike ose lirim i pjesshëm.
Hetimet zbuluan se, për të fshehur shpenzimet e fushatës, të cilat arritën rreth 43 milionë euro (pothuajse dyfishin e kufirit të lejuar prej 22,5 milionë eurosh), ishte krijuar një sistem faturash të dyfishta. Përmes kontratave fiktive, pjesa më e madhe e shpenzimeve të tubimeve elektorale transferohej tek partia UMP (sot Republikanët).
Sarkozy nuk akuzohej për pjesëmarrje direkte në krijimin e këtij sistemi faturash të falsifikuara, por si përfitues i financimit të paligjshëm.
Ish-presidenti ka mohuar “me vendosmëri çdo përgjegjësi penale”, duke e cilësuar çështjen si “tregime” dhe “gënjeshtra”.
Dënimi i tij në Apel ishte pak më i ulët se ai fillestar në vitin 2021, kur ishte dënuar me një vit burg pa pezullim.
Tre persona të tjerë të dënuar në këtë çështje – drejtori i fushatës Guillaume Lambert dhe dy ish-zyrtarë të UMP-së, Eric Cesari dhe Pierre Sassard – gjithashtu apeluan në Gjykatën e Lartë.
Ky vendim vjen vetëm dy javë pas lirimit të tij nga burgu La Sante, ku kishte qëndruar 20 ditë për një çështje tjetër, që lidhet me financimin e dyshuar të fushatës së tij në 2007 me para nga Libia e Muamar Kadafit. Procesi i Apelit për këtë çështje është caktuar për periudhën 16 mars – 3 qershor 2026.
Gjithashtu, Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni-Sarkozy, përballen me hetime të tjera gjyqësore për përpjekje të mundshme për të ndikuar dëshmitarët në të njëjtën çështje.
Vendimi i sotëm përbën një goditje tjetër për 70-vjeçarin Sarkozy, i cili vitet e fundit ka qenë në qendër të një serie procedurash gjyqësore. Në vitin 2023, e njëjta gjykatë kishte konfirmuar dënimin e tij të mëparshëm për korrupsion dhe ushtrim ndikimi, çështje që u zbulua përmes përgjimeve telefonike.
Ish-presidenti, i cili do të publikojë më 10 dhjetor librin e tij “Ditari i një të Burgosuri”, ka thënë se “përvoja në burg ishte një makth”.
