Sarkozy liruar nga burgu: Burgu ishte makth, provoj pafajësinë

Sarkozy rrëfehet për 20 ditët që kaloi në qeli: Burgu është makth, kurrë nuk e mendoja që do të më ndodhte në moshën 70-vjeçare

Pas 20 ditësh burgim, të cilat më herët i kishte cilësuar si “rraskapitëse” dhe “makth”, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u lirua dje nga burgu La Santé në Paris.

“Ligji është zbatuar. Tani do të përgatitem për apelimin. Energjia ime përqendrohet ekskluzivisht në provimin e pafajësisë sime. E vërteta do të triumfojë”, shkroi ai në rrjetet sociale pas lirimit.

Sarkozy u burgos më 21 tetor, pasi një gjykatë në Paris e dënoi me pesë vjet burg për bashkëpunim kriminal lidhur me financimin e fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga regjimi i Gadafit. Ai mohon çdo shkelje dhe ka bërë apel kundër vendimit, çështja e të cilit do të gjykohet pranverën e ardhshme.

Gjykatësit vendosën muajin e kaluar që, për shkak të “rëndësisë së jashtëzakonshme” të dënimit, ai duhet të qëndrojë në burg derisa të zhvillohet procesi i apelimimeve.

Sipas burimeve lokale, Sarkozy mëngjesin e djeshëm dëshmoi përmes videokonference para komisionit që shqyrtoi kërkesën për lirimin e tij.

“Dua t’i bëj homazh të gjithë stafit të burgut, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht njerëzorë dhe e kanë bërë këtë makth të durueshëm, sepse është vërtet një makth.”

“Kurrë nuk kam pasur as idenë, as qëllimin të kërkoj nga Gadafi ndonjë lloj financimi. Kurrë nuk do të pranoj diçka që nuk e kam bërë. Kurrë nuk e imagjinoja se në moshën 70-vjeçare do të isha në burg. Është një sprovë që më është imponuar. Pranoj se është shumë e vështirë. Dhe e di se lë shenjën te çdo i burgosur sepse është rraskapitëse.”

Sarkozy qëndronte në një qeli prej 9 metra katrorë, hante kryesisht kos sepse kishte frikë nga çfarë mund t’i futeshin në ushqim dhe kishte dëgjuar bashkëvuajtës t’i drejtonin kërcënime me vdekje. Në qelinë ngjitur qëndronin gjithmonë dy roje për sigurinë e tij.

Scroll to Top