Qelia VIP me TV ku po mbahet Nicolas Sarkozy/ Me vete mori “Konti i Monte Kristos”
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy po vuan një dënim 5-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007, i cili u mbështet nga regjimi i Gadafit. Ai aktualisht ndodhet në një qeli prej 9 metrash katrorë në të ashtuquajturin krah VIP të burgut La Santé në Paris.
Qelia e tij është e pajisur me një shtrat, një tavolinë, një dush të vogël, tualet, dritare dhe televizor, për të cilat paguan 14 euro në muaj. Gjithashtu, ka një sobë elektrike, ndërsa Sarkozy ka akses në një palestër dhe bibliotekë. Ai ka dekoruar muret me 10 fotografi personale, duke e përshtatur hapësirën brenda mundësive.
Pjesa e burgut ku ai qëndron konsiderohet “e privilegjuar” dhe ka qenë vendstrehimi i të burgosurve të profilit të lartë në të kaluarën, siç është Karlos Çakalli.
Çfarë simbolizojnë librat që ai mori me vete?
Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, ish-presidenti ka marrë me vete tre libra, numri maksimal i lejuar për të burgosurit. Mes tyre janë dy vëllime të “Kontit të Monte Kristos” të Alexandre Dumas dhe “Biografia e Jezusit” të Jean-Christian Petitfil.
Zgjedhja e “Kontit të Monte Kristos” nuk është e rastësishme: heroi i Dumas, Edmond Dantès, u burgos padrejtësisht dhe komplotoi hakmarrjen e tij. Kjo vepër shihet si simbolike për ata që besojnë se janë dënuar padrejtësisht. Sarkozy, i cili këmbëngul në pafajësinë e tij, duket se gjen një paralele në këtë libër.
Nga ana tjetër, “Biografia e Jezusit” e Petifil ofron një qasje historike ndaj jetës së Krishtit, pa interpretime fetare. Sipas komentuesve, kjo zgjedhje “balancon” aspektin simbolik të hakmarrjes së Dumasit me konceptin e shpengimit.
Ish-presidenti i parë që burgoset që nga Lufta e Dytë Botërore
Sarkozy, 70 vjeç, është ish-udhëheqësi i parë francez që burgoset që nga Marshall Philippe Pétain, i cili bashkëpunoi me nazistët. Para se të dorëzohej, ai deklaroi: “Një njeri i pafajshëm po çohet në burg”.
Sarkozy ka paraqitur tashmë një kërkesë për lirim, por gjyqtarëve mund t’u duhen deri në dy muaj për ta shqyrtuar atë. Ndërkohë, ai pritet ta kalojë kohën duke shkruar një libër të ri, sipas deklarimeve të tij.
Burgu La Santé, funksional që nga shekulli i 19-të, konsiderohet si një nga burgjet më rigoroze të Francës dhe strehon të burgosur të profilit të lartë në kushte maksimale sigurie.
