Sejko takon drejtoreshën e AMF: Krijimi i grupeve financiare kërkon koordinim mbikëqyrës
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot një takim zyrtar me Drejtoreshën e re Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, duke u fokusuar në ecurinë e aktivitetit ekonomik, situatën financiare dhe perspektivën e tyre afatmesme. Lidhur me përgjegjësitë e Bankës së Shqipërisë në fushën e mbikëqyrjes bankare, ai theksoi masat dhe ndryshimet më të fundit rregullatore të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e konsumatorit dhe për të rritur transparencën në marrëdhëniet mes institucioneve financiare dhe klientëve të tyre.
Të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet që lidhen me rritjen e ndërveprimit mes sektorit bankar dhe atij jobankar, si pasojë e krijimit dhe konsolidimit të grupeve financiare me veprimtari ndërsektoriale. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacioneve rreth metodologjive të përgatitjes së të dhënave statistikore nga të dy institucionet, si dhe nevojës për forcimin e koordinimit mbikëqyrës. Synimi është identifikimi dhe adresimi në kohë i rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat për kapitujt e acquis communautaire. Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe AMF-së është lidhur me Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”.
Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.
