Sejko: Bankat Shqiptare, Përafruar me BE-në Brenda 2 Vitesh

Sejko drejtuar bankave: Brenda dy viteve, ligjet dhe rregulloret do të përafrohen plotësisht me BE-në

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar bankat se brenda dy viteve të ardhshme kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij në takimin e fundvitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Guvernatori theksoi se mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i industrisë bankare janë të domosdoshëm në këtë proces, në mënyrë që ndryshimet të aplikohen siç duhet dhe përfitimet të materializohen sa më shpejt.

“Gjatë vitit të ardhshëm, sistemi financiar dhe sektori bankar do t’i nënshtrohen vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të FSAP 2026. Ky vlerësim do të shërbejë si një certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e kuadrit të përgjithshëm ligjor dhe nënligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut për veprimtarinë financiare, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar drejt përmirësimeve të nevojshme. Jam i bindur se bashkëpunimi i industrisë bankare gjatë këtë procesi do të jetë i plotë dhe konstruktiv,” tha Sejko.

Duke folur për sfidat e tjera, Guvernatori theksoi rëndësinë e ruajtjes së vëmendjes në zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare cilësore dhe transparente, të diversifikuara në mënyrë të drejtë dhe të mbështetura në kritere të përshtatshme të administrimit të rrezikut. Kjo, sipas tij, do të jetë thelbësore për forcimin e besimit të publikut dhe për mbështetjen e rritjes së aktivitetit të tyre.

Në mënyrë specifike, Sejko vuri theksin te investimet në inovacion teknologjik dhe digjitalizim, paralelisht me vendosjen e standardeve më të larta të mbrojtjes kibernetike, si domosdoshmëri për ruajtjen e një pozicioni konkurrues të shëndetshëm për bankat.

“Roli i bankave në mbështetjen e sektorit privat dhe në rritjen ekonomike të vendit mbetet i pazëvendësueshëm. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që financimet të orientohen drejt sektorëve produktivë dhe me nivel të lartë të vlerës së shtuar, duke mbështetur më shumë bizneset e vogla dhe të mesme. Ndonëse janë sipërmarrje private me qëllim kryesor fitimin, bankat mbeten institucione me përgjegjësi të theksuara sociale dhe duhet të vijojnë të kontribuojnë në edukimin financiar, përfshirjen financiare, financat e gjelbra dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit,” u shpreh ai.

Sejko vlerësoi pozitivisht ecurinë e ekonomisë dhe të sektorit financiar gjatë këtij viti. Ai tha se gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%, duke gjeneruar më shumë punësim, paga më të larta dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset.

“Paralelisht me këto, treguesit kryesorë financiarë dhe ekonomikë shënuan përmirësime të dukshme. Borxhi publik dhe ai i jashtëm shënuan rënie të mëtejshme dhe janë në nivelet më të ulëta të tre dekadave të fundit. Bilancet financiare të familjeve dhe bizneseve paraqiten solide, ndërsa sektori bankar ka vijuar të konsolidojë rolin e tij si një ndërmjetës financiar efektiv. Ambienti financiar me norma të ulëta interesi, së bashku me qasjen proaktive të bankave ndaj kreditimit, nxiti një rritje të fortë të kredisë, e cila rezultoi rreth 14-15% më e lartë se në vitin 2024, duke dhënë një mbështetje të rëndësishme për aktivitetin ekonomik,” përfundoi ai.

Scroll to Top