Sektori bankar shqiptar: Fitime në rënie në vitin 2025

Viti 2025 po mbyllet me fitime më të ulëta për sektorin bankar

Viti 2025 po shënon një rënie të përfitueshmërisë së sektorit bankar në vend. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se për 10-mujorin 2025, kthimi nga kapitali aksionar (fitimi në raport me kapitalin aksionar) për sektorin ishte në nivelin 15.86%, krahasuar me 18.51% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe kthimi nga aktivet (fitimi në raport me aktivet) paraqitet në rënie, duke arritur nivelin 1.63%, nga 1.88% një vit më parë. Fitimi në vlerë absolute i sektorit bankar për 10-mujorin 2025 është gjithashtu në rënie me 7% krahasuar me një vit më parë, duke arritur një vlerë totale prej 29.2 miliardë lekësh.

Arsyeja kryesore e kësaj rënieje në fitimet e bankave është tejkalimi i pikës kulmore të efektit të lidhur me ciklin rritës të normave të interesit në bilancet e tyre. Pas goditjes inflacioniste të vitit 2022, bankat qendrore rritën shpejt normat bazë, gjë që u reflektua pozitivisht në të ardhurat nga interesat e aseteve të sektorit bankar.

Megjithatë, në vitin 2024, normat e interesit të bankave qendrore filluan të bien, duke ndikuar edhe në ecurinë e treguesve kryesorë (benchmark) që bankat përdorin për përcaktimin e çmimit të kredive, siç janë Bonot e Thesarit dhe Euribori. Kjo tendencë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025.

Duke qenë se titujt qeveritarë shërbejnë si benchmark edhe për kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave reflektohet edhe te kreditë në monedhën vendase. Kjo ka frenuar rritjen e të ardhurave nga interesat. Në të njëjtën kohë, shpenzimet për interesa kanë mbetur të qëndrueshme, të nxitura edhe nga konkurrenca në rritje për fondet e depozitimeve nga publiku, veçanërisht nga bankat më aktive në tregun e kredidhënies.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për 9-mujorin 2025 ishin rreth 55.8 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 0.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat neto nga interesat të sektorit bankar janë në rënie për herë të parë që prej vitit 2019.

Në anën tjetër, presioni mbi kostot e aktivitetit bankar mbetet i lartë. Shpenzimet për personelin gjatë 9-mujorit 2025 arritën në mbi 14.4 miliardë lekë, duke u rritur me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Ndërkohë, edhe shpenzimet e tjera të aktivitetit të bankave shënuan një rritje të ndjeshme prej 15.4%, duke arritur vlerën e përgjithshme prej 27.8 miliardë lekësh. Rritja e çmimeve në segmentin e shërbimeve gjatë viteve të fundit duket se ka ndikuar ndjeshëm edhe në shpenzimet e bankave tregtare. Një efekt të rëndësishëm vlerësohet se ka pasur edhe nevoja në rritje për shpenzime të lidhura me dixhitalizimin dhe sigurinë kibernetike.

Scroll to Top