Shteti paguan zyrtarisht 30% më shumë se sektori privat
Ecuria e pagave në vendin tonë tregon se edhe në vitin 2025, sektori publik konsolidoi pozicionin e tij si punëdhënësi më konkurrues. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, paga mesatare në shtet e ka kaluar pragun e 100 mijë lekëve, duke u fiksuar në 100,280 lekë.
Kjo rritje ka bërë që diferenca me sektorin privat të thellohet sërish, duke arritur në mbi 23 mijë lekë. Paga mesatare në bizneset private, ndonëse në rritje, mbetet në nivelin e 77,155 lekëve. Kjo do të thotë se shteti paguan zyrtarisht 30% më shumë se sektori privat, edhe pse ky i fundit ka ende informalitet dhe pagat reale mund të jenë më të larta.
Ky trend tregon se, pavarësisht përpjekjeve të sipërmarrjes private për të rritur ofertat e tyre, ritmi i diktuar nga reformat qeveritare ka qenë shumë më i shpejtë dhe agresiv gjatë tre viteve të fundit.
Vitin e kaluar, paga në sektorin shtetëror u rrit me 8.9%, duke shënuar një rënie nga ritmi i vitit 2024, ku rritja ishte 16%. Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto në sektorin privat arriti në 77,155 lekë, me një rritje vjetore prej 8.4%.
Hendeku i pagave ndërmjet sektorit privat dhe publik, pasi u ngushtua ndjeshëm në vitin 2022 (me pagat në shtet që ishin 20% më të larta, si pasojë e reagimit të shpejtë të bizneseve pas krizës së inflacionit), nisi të zgjerohej sërish me ritme të larta në vitet pasardhëse. Në vitin 2025, diferenca ka arritur në 30%, një shifër që tregon se sektori privat është gjithnjë e më larg standardit të pagesave që ofron shteti.
Kjo situatë krijon një presion të dyfishtë për biznesin. Përveç mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, tani duhet të konkurrojë edhe me nivelin e lartë të pagave në administratën publike.
Si rrjedhojë e një plani të qeverisë për të çuar pagën mesatare në 900 euro në vitin 2024, sektori publik u shndërrua në liderin e pagave. Ekspertët parashikojnë se kjo zhvendosje mund të orientojë talentet drejt strukturave shtetërore.
Ecuria e pagave në sektorin shtetëror tregon një rritje progresive që ka nisur që nga viti 2020, kur kjo vlerë luhatet rreth 64,389 lekë, si pasojë e planit të qeverisë për pagat në administratë. Megjithatë, hovin më të madh e shohim pas vitit 2022, ku brenda vetëm një viti paga u rrit me rreth 11 mijë lekë, duke arritur në 81,887 lekë në vitin 2023. Kjo dinamikë ka vijuar edhe gjatë vitit 2024, ndërsa për vitin 2025, rritja ishte rreth 8.9%, ose një shtesë neto prej 8,211 lekësh krahasuar me vitin 2024.
Nga ana tjetër, pagat në sektorin privat, që në vitin 2020 ishin 48,459 lekë, kanë pësuar një rritje të ndjeshme dhe pritet të arrijnë në 77,155 lekë në vitin 2025. Për këtë grup, rritja vjetore ishte 8.4%, duke treguar se e gjithë struktura e pagave në vend po zhvendoset lart.
Ky zgjerim i pagave, megjithëse pozitiv për konsumin, mbetet një sfidë për bizneset, të cilat duhet të përballojnë kosto më të larta të punës në një kohë kur rritja e produktivitetit shpesh nuk ndjek të njëjtin ritëm.
Nga këndvështrimi i kostos së jetesës, kjo rritje është e domosdoshme për shkak të shtrenjtimit të shportës bazë dhe qirave, por njëkohësisht ushqen një cikël të ri inflacioni. Rritja e kostove të punës me rreth 8.5% vetëm në një vit i detyron bizneset t’i transferojnë këto kosto te çmimet finale për konsumatorin. Në rastet kur rritja e pagave nuk vjen nga produktiviteti, por nga presionet në tregun e punës, kjo shkakton inflacion, i cili nga ana tjetër zbeh efektet e rritjes.
/MONITOR
