Rreth 700 mijë euro drogë e sekuestruar në kufirin greko-shqiptar, katër persona në pranga
Policia greke ka sekuestruar rreth 42 kilogramë kanabis në zonën kufitare me Shqipërinë. Katër persona, përfshirë një grua 26-vjeçare dhe tre burra të moshave 24, 29 dhe 44 vjeç, të gjithë shtetas grekë, janë arrestuar për trafik droge dhe mosbindje ndaj efektivëve të policisë.
Në kuadër të operacionit për parandalimin e importit dhe trafikimit të narkotikëve, oficerët e policisë të Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve të Kastorias, i kanë kërkuar dy automjeteve të ndalonin për kontroll në një zonë të Kosturit. Makinat nuk iu bindën sinjalit të policisë dhe me shpejtësi të shtuar u larguan.
Gjatë ndjekjes, pasagjerët e njërit prej automjeteve, duke kaluar në një zonë rurale-pyjore, hodhën dy çanta udhëtimi. Brenda tyre u gjetën 39 pako marijuanë, me një peshë totale prej 42 kilogramë e 869 gramë. Ata më pas vazhduan udhëtimin drejt zonës së Kozanit.
Njëri nga automjetet, me shofer dhe një pasagjer (një burrë 24-vjeçar dhe një grua 26-vjeçare), u ndalua dhe u arrestua. Më pas, edhe automjeti tjetër, me shofer dhe një pasagjer (një burrë 29-vjeçar dhe një burrë 44-vjeçar, të cilët vepronin si shoqërues për të lehtësuar transportin e drogës), u gjet dhe u ndalua në zonën e Kozanit.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
- 42 kg e 869 gramë marijuanë
- 2 automjete
- 4 telefona celularë
- 4 karta SIM
Vlera financiare e pritur nga trafikimi i kësaj sasie droge arrin rreth 686 mijë euro.