Sekuestro drogë në Mirditë: Tre në pranga, mes tyre dy vëllezër

Policia e Mirditës ka sekuestruar një sasi droge dhe ka arrestuar tre persona, mes tyre dy vëllezër. Nga hetimet janë identifikuar shtetasit M. Z. dhe E. Z. (vëllezër) dhe A. R. Ata dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike dhe kanë prodhuar lëndë narkotike për shitje, në bashkëpunim me dy persona të arrestuar një javë më parë, në kuadër të fazës së parë të operacionit të koduar “Processing”.

Gjatë fazës së parë, u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf, Mirditë.

Faza e dytë e operacionit ka çuar në arrestimin e shtetasve A. R., 33 vjeç, M. Z., 34 vjeç, dhe E. Z., 38 vjeç, të gjithë banues në Mirditë. Gjatë kësaj faze, u gjetën dhe u sekuestruan afër një banese të vjetër në fshatin Shëngjergj, Mirditë, rreth 40 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare.

Operacioni policor “Processing” vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i janë referuar Prokurorisë Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.

Scroll to Top