Sekuestrohen 12 milionë euro pasuri nga aktivitete kriminale në Sarandë

Sekuestrohen 12 milionë euro pasuri në Sarandë, krijuar nga aktivitete kriminale

Autoritetet vazhdojnë punën për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se kanë burimin nga veprimtari të paligjshme. Janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të cilat mendohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për hetimin e pasurive të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale, kanë evidentuar dy raste. Pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetimet konkretisht:

  • Në ngarkim të shtetasit K. Q., alias J. H., 43 vjeç, banues në Sarandë, i cili ka precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve. Ai është i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 07.09.2025, i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit me datë 24.10.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e tij. Këto pasuri përfshijnë:
    • Një hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat dhe garazh prej 440 m², i vendosur në Sarandë.
    • Një hotel 4-katësh, me 15 dhoma dhe një lokal, me sipërfaqe ndërtimi 160 m² dhe 80 m², gjithashtu në Sarandë.
  • Në ngarkim të shtetasit A. K., 53 vjeç, banues në Sarandë, i cili ka precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafikeve dhe narkotikëve. Ai është i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 31.07.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e tij, të cilat përfshijnë:
    • Në Sarandë: Një lokal shërbimi prej 103 m² dhe një pasuri prej 123.1 m².
    • Në Tiranë: Një apartament 78.4 m², një parcelë ndërtimi 60.12 m², një dyqan 103 m² dhe një arë 800 m².
    • Në Rradhimë, Vlorë: Tre pasuri me sipërfaqe 36 m², 485 m² dhe 619 m².
    • Në Memaliaj, Tepelenë: Një pasuri prej 386 m², një truall 650 m² dhe një pasuri tjetër.
    • Pasuri të luajtshme: Një mjet lundrues, katër automjete dhe dymbëdhjetë llogari bankare.

Nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, puna vijon për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë nga këta shtetas ose familjarët e tyre.

Scroll to Top