Sekuestrohen 3.5M euro pasuri për trafik droge në Vlorë

Sekuestrohen 3.5 milionë euro pasuri të një personi të dënuar në Itali për trafik droge

Prokuroria e Vlorës njoftoi të mërkurën, më 19 nëntor, sekuestrimin e pasurive me vlerë 3.5 milionë euro, në pronësi të 55-vjeçarit Agron Lamaj, i njohur edhe si Aglon Lamaj, si dhe të subjektit “Rei Royal” sh.p.k..

Më 10 tetor, policia njoftoi se Lamaj u ndalua në Aeroportin e Rinasit teksa tentonte të hynte në Republikën e Shqipërisë. Ai ishte në kërkim nga autoritetet italiane të Firences, pasi ishte dënuar me 7 vjet burgim për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas prokurorisë, hetimi për pastrimin e produkteve penale ka filluar në vitin 2022. Nga ky hetim rezultoi se burimi i ligjshëm i pasurive të shumta të paluajtshme nuk ishte provuar.

Me kërkesë të Prokurorisë Vlorë, gjykata ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj:

  • 12 njësive me sipërfaqe të përgjithshme rreth 768 m²;
  • dy apartamenteve me sipërfaqe 270 m²;
  • dy pasurive të llojit “pemëtore” me sipërfaqe totale 1600 m²;
  • truallit me sipërfaqe 249.5 m²;
  • një garazhi me sipërfaqe 202 m².

Në njoftimin e policisë së një muaji më parë, bëhej me dije se Lamaj ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Firences në vitin 2024 për trafikim të lëndëve narkotike. Ai akuzohej se në vitin 2007, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kishte transportuar drogë nga Holanda në Itali.

Scroll to Top