Sekuestrohen 4 objekte ndërtimi në zonën “Rana e Hedhun”, caktohen 9 masa sigurie
Prokuroria e Lezhës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me rastin e tjetërsimit të pronave në Shëngjin, ku janë sekuestruar katër objekte ndërtimi në zonën “Rana e Hedhun” dhe janë caktuar nëntë masa sigurie.
Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar katër objekte ndërtimi të cilat janë ndërtuar pa leje dhe më pas janë legalizuar. Këto ndërtime ndodhen në zonën e njohur si “Rana e Hedhun” në Shëngjin, Lezhë. Gjithashtu, janë lëshuar masa sigurimi për nëntë persona, përfshirë ish-zyrtarë publikë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka sekuestruar katër objekte ndërtimi të cilat rezultojnë të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë. Përveç sekuestrimit, janë caktuar masa sigurimi ndaj nëntë personave të dyshuar për veprat penale:
- “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal.
- “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.
Në kuadër të një hetimi disa mujor, lidhur me procedimin penal nr. 135/2025, ku janë analizuar një numër ndërtimesh pa leje në një zonë me rëndësi kombëtare (e përcaktuar si e tillë me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit), Prokuroria ka finalizuar fazën e identifikimit të personave të dyshuar. Prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave të dyshuar:
- Shtetasi G.M., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë, me masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
- Shtetasi A.Sh., ish-përgjegjës i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, me masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
- Shtetasi A.M., përgjegjës i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, me masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
- Shtetasi P.T., me masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
- Shtetasi L.B., inxhinier konstruksioni, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.
- Shtetasi H.Xh., inxhinier ndërtimi, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.
- Shtetasi F.Gj., ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, me masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
- Shtetasi K.M., ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, me masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
- Shtetasi M.N., Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Shëngjin, me masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasit G.M., A.Sh. dhe A.M., duke ndryshuar kështu masën e sigurisë së kërkuar nga prokuroria për ta.
Gjithashtu, Gjykata ka miratuar kërkesën për vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi katër objekte ndërtimi të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë.
Hetimet për këtë çështje vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
