Sekuestrohen armë zjarri dhe lëndë narkotike, arrestohen dy persona
Dy persona janë arrestuar nga policia e Kuçovës. Njëri prej tyre kishte përshtatur lokalin e tij si bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Personi që kishte përshtatur lokalin është një 41-vjeçar. I arrestuari tjetër, një 27-vjeçar, mbante drogë në shtëpi.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e lokalit të 41-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan:
- 1 armë zjarri automatik
- Një sasi lënde narkotike kanabis
- 1 peshore elektronike
- 30 fishekë luftarak
Më pas, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit K. Z., 27 vjeç, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Atje u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër lënde narkotike kanabis.
Njoftimi i policisë thekson se operacioni policor i koduar “Kompleks” u finalizua me sukses.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat.
41-vjeçari, K. K., banues në fshatin Drenovicë, Dimal, u arrestua në flagrancë pasi kishte përshtatur lokalin për shpërndarjen dhe përdorimin e lëndëve narkotike, si dhe mbante armë zjarri automatik.
27-vjeçari, K. Z., banues në fshatin Tapi, Kuçovë, u arrestua pasi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, si dhe mbante lëndë narkotike në banesë.
Këto kontrolle u kryen edhe në vijim të hetimeve për identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës plasëse në një biznes ditën e djeshme, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
