Sëmundshmëri në rritje në Shqipëri: Kardiake, Psikiatrike dhe Përballje

Rritje e sëmundshmërisë në Shqipëri, veçanërisht e sëmundjeve kardiake dhe psikiatrike

Numri i përgjithshëm i shtrimeve në spitale në vend ka shënuar një rënie për periudhën janar-gusht 2025. Sipas të dhënave të raportit tetëmujor “Për realizimin e treguesve të monitorimit financiar”, të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, numri total i pacientëve të shtruar në spitale arriti 209,7 mijë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i shtrimeve ra me 3%.

Megjithatë, disa shërbime të specializuara kanë shënuar rritje të dukshme të shtrimeve, sidomos në psikiatri dhe kardiologji.

Kardiologjia: Në vitin 2025, janë trajtuar 7,543 pacientë në repartet e kardiologjisë, krahasuar me 6,419 pacientë një vit më parë. Numri i pacientëve të trajtuar me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë u rrit me 17.5%.

Mjekët kanë paralajmëruar prej kohësh se për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, mungesës së aktivitetit fizik dhe dëmeve të kequshqyerjes, pritet një tendencë rritëse për simptomat kardiake dhe neurologjike.

Faktorë të tjerë, sipas mjekut të urgjencës Ilir Allkja, që po ndikojnë në shtimin e numrit të rasteve me simptoma kardiake janë rritja e moshës mesatare të popullsisë, si dhe mospërmirësimi i diagnozave të hershme në rrethe.

“Në spitalet universitare të Tiranës, por edhe ato private, ka një kërkesë të rritur për trajtime të pacientëve me probleme kardiake, si ambulatorisht ashtu edhe me shtrime dhe kujdes spitalor. Faktori i parë është plakja e popullatës, e cila bashkëshoqërohet me sëmundshmëri të shtuar. Faktori i dytë është rentabiliteti i ulët i spitaleve bashkiake e ndoshta edhe atyre rajonale. Është fakt që shumë pacientë trajtohen në mënyrë të gabuar nëpër rrethe dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së stafit mjekësor dhe pajisjeve. Faktor shtesë mbetet fakti që në shumë zona mungon mjeku bazë, ai familjar, pasi pacientët mbeten pa mjekim afatgjatë dhe drejtohen tek specialisti në momentet kur problemet janë kronikizuar, përkeqësuar dhe shpesh janë të pamundura për t’u trajtuar në shtëpi”, shprehet mjeku Allkja.

Psikiatria: Edhe shërbimi psikiatrik ka shënuar rritje. Për periudhën janar-gusht 2025, numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike arriti në 1,129 pacientë. Numri i të shtruarve në spitalet psikiatrike është rritur me 36%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

“Në lidhje me rritjen e shtrimeve në psikiatri mendoj se arsyeja kryesore është mungesa e një strategjie kombëtare për të trajtuar ambulatorisht përdoruesit e shumtë të hashashit, alkoolit, drogave të tjera më të forta, etj. Jo rastësisht kemi kaq shumë dhunë në rrugë, në familje apo edhe në institucione. Trajtimi i njerëzve që kanë varësi nga alkooli, drogat duhet të kthehet në emergjencë kombëtare, sipas opinionit tim, pasi vetëm kështu mund të kemi një shoqëri më të sigurt deri në qelizën e saj, në familje”, nënvizon mjeku Ilir Allkja.

Shërbime të tjera mbështetëse:

  • Numri i pacientëve që kanë marrë trajtim me dializë është rritur nga 136,986 në 140,509, pra me 2.5% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2024.
  • Njësitë e urgjencës kanë përballuar 97,273 raste, apo 3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
  • Është shënuar një rritje edhe në ndërhyrjet për katarakt (kirurgjia e syve), me 2,876 pacientë të trajtuar për janar-gusht 2025, nga 2,497 që ishte numri i tyre në 8-mujorin e vitit 2024. Ndërhyrjet në kirurgjinë e syve janë rritur me 15%.
  • Depistimi për kancerin e gjirit është rritur rreth 61%. Numri i grave që kanë kryer depistime për janar-gusht 2025 arriti në 3,401 gra.
  • Ndërkohë, numri i depistimeve për kancerin e qafës së mitrës ka rënë nga 4,706 në 3,225 gra, apo rreth 32% më pak se janar-gushti i vitit paraardhës.
  • Numri i pacientëve të trajtuar me radioterapi u ul me 4.5%.
Scroll to Top