“`html
Serbia dhe Maqedonia e Veriut hyjnë në rrjetin europian të fabrikave të inteligjencës artificiale, ndërsa Shqipëria mbetet jashtë
Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale (IA) duke përfituar financime direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterave. Shqipëria, pavarësisht se ka promovuar së fundmi emërimin e një ministreje të inteligjencës artificiale, nuk ka marrë financime në këtë fazë të programeve, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian, edhe pse është pjesë e rrjetit europian të superkompjuterave që nga qershori i vitit të kaluar.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut përfshihen në dy projekte të “AI Factory Antennas”, të cilat shërbejnë si porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të IA.
Projekti SAIFA në Serbi
- Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna).
- Ky projekt synon të krijojë një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e IA, duke ofruar akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në burime kompjuterike, mjete IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
- SAIFA do të funksionojë si pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar testimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve IA në shkallë europiane në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe gjuha.
Projekti “Vezilka” në Maqedoninë e Veriut
- Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, një qendër kombëtare e IA, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro.
- Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.
- Qendra synon të lidhë universitetet, shtetin dhe industrinë me rrjetin europian të IA dhe do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi, duke ofruar akses në superkompjuterë dhe databaza europiane për institucionet publike, kompanitë dhe start-up-et.
- Ky projekt synon të integrojë Maqedoninë e Veriut në rrjetin europian të qendrave të IA dhe të krijojë mundësi të reja për kërkim shkencor, inovacion dhe zhvillim të industrisë teknologjike.
Në të dyja rastet, projektet synojnë t’u mundësojnë start-up-eve, SME-ve dhe kërkimit shkencor akses në burime që zakonisht janë të disponueshme vetëm për kompanitë e mëdha teknologjike.
Iniciativa Europiane AI Factories
Këto projekte janë pjesë e iniciativës më të gjerë të BE-së, “AI Factories”, e cila ka për qëllim ndërtimin e infrastrukturës industriale të inteligjencës artificiale në Europë. Qëllimi është të bashkohen superkompjuterë, qendra të të dhënave, universitete dhe industri për të krijuar ekosisteme të plota zhvillimi të IA dhe për të rritur konkurrueshmërinë globale të ekonomisë europiane.
Koncepti i “AI Factory Antennas” shërben si pikë lidhëse kombëtare ose rajonale me AI Factories, duke u dhënë vendeve që nuk posedojnë vetë superkompjuterë, akses në kapacitetet europiane të IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
Në nivel europian, antenat e AI Factory financohen në kuadër të programeve Horizon Europe dhe EuroHPC, me një kontribut të BE-së që mund të arrijë deri në rreth 5 milionë euro për antenë, varësisht nga projekti dhe bashkëfinancimi kombëtar.
Investimet Europiane në IA
Programi i BE-së për AI Factories është pjesë e strategjisë më të gjerë për të krijuar një ekosistem europian të IA, duke u fokusuar te infrastruktura. Në periudhën 2021-2027, investimet totale në superkompjuterë dhe AI Factories pritet të arrijnë rreth 10 miliardë euro përmes EuroHPC dhe programeve të lidhura.
Iniciativa InvestAI synon të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime në IA, duke përfshirë rreth 20 miliardë euro për “gigafactories” të IA – qendra të mëdha për trajnim modelesh, të projektuara si infrastrukturë strategjike për të mundësuar konkurrencën e Europës me SHBA dhe Kinën.
Në nivel më specifik, rrjeti i AI Factories dhe Antennas në Europë ka angazhuar mbi 2.6 miliardë euro për këtë rrjet të parë, duke përfshirë rreth 55 milionë euro investim direkt të BE-së për Antennas, plus bashkëfinancim nga shtetet pjesëmarrëse. Synimi është që çdo vend të ketë akses në fuqi superkompjuterike.
Shqipëria u bë zyrtarisht vendi i 36-të që i bashkohet Nismës së Përbashkët për Kompjuterikë me Performancë të Lartë (EuroHPC Joint Undertaking) në qershor 2025, duke u futur kështu në rrjetin europian të superkompjuterëve.
“`
