Vuçiç: Serbia me ushtarë-robotë, do të na ndihmojë Kina
Beogradi ka kohë që synon fuqizimin e ushtrisë së saj, por kësaj here presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka një ide të re. Ushtria serbe do të fuqizohet shpejt me rekrutë të rinj, të cilët nuk do të jenë njerëz, por robotë.
Sipas Vuçiç, vendi do të prezantojë mijëra robotë të armatosur në paradën e ardhshme ushtarake, pasi prodhimi i tyre do të fillojë që këtë vit. Për realizimin e kësaj ideje do të kontribuojë Kina, duke kërkuar mbështetjen e presidentit Xi Jinping.
Sipas presidentit serb, robotët janë të përshtatshëm sepse mund të mbajnë deri në 30 kilogramë peshë, mund të pajisen me kamera, të kryejnë patrullime në pikat kufitare dhe gjithashtu mund të armatosen.
Vuçiç theksoi se Serbia mund të bëhet vendi i parë në Europë që prodhon robotë humanoid për ushtrinë.
Lëvizjet për forcimin e ushtrisë dhe rekrutimin e ushtarëve të rinj, përfshirë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, janë në fokus të presidencës Vuçiç, ndërkohë që ai intensifikon edhe marrëdhëniet me Kinën.
