Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit dhe deputet i PS
U nda nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga figurat kryesore të politikës shqiptare, sidomos në periudhën e tranzicionit pas viteve ’90.
Pëllumbi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Kuvendit. Ai është konsideruar një nga figurat më me integritet që pas viteve ’90.
Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. Të ndjerit ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960 deri në 1963, ai ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri në vitin 1977.
Që nga ky vit, politikani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë së Punës, teksa për gati tre vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996. Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.
Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kuvendit dhe deputetit socialist Servet Pëllumbit, në moshën 89-vjeçare. Rama ka shkruar shkurt: “Lamtumirë Profesor i dashur”. Ai e ka shoqëruar reagimin me një foto nga një protestë e Partisë Socialiste në vitin 1996, ku Pëllumbi dhe protestues të tjerë ishin dhunuar nga policia.
